Sekretarja e Thesarit i SHBA-së viziton Kievin, njofton 1.2 miliardë dollarë ndihmë shtesë – VIDEO

Janet Yellen

Në vizitën e saj në kryeqytetin ukrainas Kiev, sekretarja amerikane e Thesarit, Janet Yellen, ka njoftuar një ndihmë shtesë prej 1.2 miliardë dollarësh për vendin e shkatërruar nga lufta, transmeton Anadolu.

“Ky është kësti i parë prej rreth 10 miliardë dollarësh në mbështetje të drejtpërdrejtë buxhetore që SHBA-ja do t’i ofrojë në muajt e ardhshëm”, tha Yellen në një njoftim të lëshuar nga Departamenti i Thesarit.

Yellen tha se mbështetja ekonomike e SHBA-së po ndihmon që qeveria ukrainase dhe ofruesit e shërbimeve kritike të funksionojnë, si dhe ofron rezistencën e vendit përballë luftës së nisur nga Rusia një vit më parë.

Ajo tha se SHBA-ja po punon me partnerët e saj përmes Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) për ta mbajtur funksionimin e infrastrukturës bazë dhe zinxhirëve të furnizimit, si dhe përmes Bankës Botërore, Komisionit Evropian dhe pjesës tjetër të anëtarëve të Grupit G7. Ajo theksoi se SHBA-ja pret që Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) të lëvizë me shpejtësi drejt krijimit të një programi ambicioz dhe plotësisht të financuar.

“Ne nuk do të pushojmë derisa të përfundojë lufta”, tha Yellen për sanksionet e gjera amerikane ndaj Rusisë, duke shtuar se SHBA-ja nuk do të hezitojë që autoritetet e saj të pengojnë entitetet që ndihmojnë Kremlinin t’i shmangë sanksionet.

Yellen u takua me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelenskyy, duke pohuar transferimin e parë prej 1.25 miliardë dollarësh nga 9.9 miliardë dollarë mbështetje buxhetore të SHBA-së që do të sigurohet gjatë tre tremujorëve të parë të këtij viti.

Ajo gjithashtu u takua me kryeministrin ukrainas, Denys Shmyhal dhe tha se SHBA-ja deri më tani ka dhënë afërsisht 50 miliardë dollarë në total ndihmë për sigurinë, ekonominë dhe ndihmë humanitare për Ukrainën.

Yellen theksoi se për ndihmën ekonomike, SHBA-ja ka dhënë mbi 14 miliardë dollarë, ndërsa në muajt në vijim, siç tha ajo, do të japë mbi 8 miliardë dollarë shtesë në mbështetje ekonomike.