Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Sekreti i rezistencës: pse Irani nuk u shemb pas vrasjes së Ali...

Sekreti i rezistencës: pse Irani nuk u shemb pas vrasjes së Ali Khameneit?

Nuk u zhyt në kaos, por është riorganizuar rreth Gardës Revolucionare

Gjashtë muaj pas vrasjes së Ajatollah Ali Khameneit dhe Ali Larixhanit, Republika Islamike nuk ka rikthyer hierarkinë e centralizuar që dikur përqendrohej rreth Udhëheqësit Suprem, por as nuk është shembur.

Irani ka hyrë në një fazë të re qeverisjeje, më të mjegullt për vëzhguesit e jashtëm dhe më të mbështetur te aparati i sigurisë. Institucionet shtetërore vazhdojnë të funksionojnë, ndërsa autoriteti është bërë më i izoluar dhe vendimmarrja më e ndërmjetësuar nga strukturat e sigurisë.

Mojtaba Khamenei mban zyrtarisht postin e Udhëheqësit Suprem dhe emërimet kryesore vazhdojnë të bëhen në emrin e tij. Por provat publike nuk tregojnë një autoritet personal dhe të dukshëm të ngjashëm me atë që ushtronte i ati.

Mojtaba nuk është shfaqur publikisht në mënyrë të konfirmuar në mënyrë të pavarur që prej marrjes së detyrës dhe nuk është publikuar ndonjë regjistrim i autentifikuar ku ai të flasë pas emërimit.

Megjithatë, pushteti formal vazhdon të ushtrohet përmes institucioneve. Një dekret në emër të Mojtabës, caktoi Mohsen Rezaein si përfaqësues të Udhëheqësit Suprem në Këshillin e Lartë të Sigurisë Kombëtare, ndërsa presidenti Masud Pezeshkian e emëroi më pas sekretar të këshillit.

Në të njëjtën ditë, Hossein Taeb, ish-kreu i inteligjencës së Gardës Revolucionare dhe një figurë e konsideruar e afërt me Mojtabën, u emërua komandant i milicisë Basij.

Kjo tregon se eliminimi i udhëheqjes, dëmtimi i strukturës komanduese, presioni ekonomik dhe humbjet ushtarake nuk prodhuan shembjen e sistemit. Përkundrazi, ato e zhvendosën më tej qendrën e gravitetit drejt strukturave të sigurisë dhe Gardës Revolucionare Islamike.

Garda Revolucionare nuk u shpërbë në kaos. Ajo u bë edhe më e rëndësishme për mbijetesën e shtetit. Por kjo nuk do të thotë se sistemi i komandës është bërë më transparent.

Humbjet në nivelet e larta dhe përhapja e konfliktit në disa fronte kanë krijuar më shumë hapësirë për vendimmarrje të deleguar dhe shumë më pak qartësi se kush autorizon konkretisht një veprim.

Sjellja e ndryshme e aktorëve të lidhur me Iranin në Hormuz, Arabinë Saudite, Irak, Siri, Liban dhe Jemen nuk dëshmon domosdoshmërisht për ekzistencën e komandave autonome.

Ajo mund të shpjegohet nga kushtet lokale, kapacitetet e ndryshme, nevoja për të mohuar përgjegjësinë, udhëzimet e vonuara dhe delegimi i kompetencave gjatë luftës.

Rezultati është një sistem i veprimeve të deleguara. Teherani mund të përcaktojë objektivat strategjike në terma të gjerë, ndërsa aleatët lokalë kanë më shumë hapësirë për të vendosur kohën dhe mënyrën e veprimit.

Kjo nuk do të thotë se grupet aleate janë rebeluar ndaj Iranit, por se përshkallëzimi dhe kontrolli mbi të janë bërë më të vështira për t’u verifikuar nga jashtë. Sot, sistemi iranian duket se përballet me tri rrugë.

E para është konsolidimi i sigurisë, ku Mojtaba ruan autoritetin formal dhe një elitë e ngushtë rikthen një zinxhir komandimi më të qartë.

E dyta, që duket skenari aktual, është ekuilibri i izoluar i sigurisë: Mojtaba mbetet pak i dukshëm, institucionet ndërmjetësojnë vendimmarrjen dhe përdorimi i forcës delegohet.

Dhe e treta është fragmentimi nën presion, nëse kriza ekonomike dhe humbjet ushtarake shkaktojnë përplasje të hapura brenda elitës ose humbje të kontrollit mbi aparatin e sigurisë.

Për Uashingtonin dhe kryeqytetet e rajonit, përfundimi është i rëndësishëm: nuk ka prova se Teherani e ka humbur kontrollin mbi aleatët e tij. Por deklaratat nga qendra nuk mund të merren më automatikisht si dëshmi e një vendimi të vetëm dhe të centralizuar.

Irani nuk e ka rikthyer rendin e vjetër, por as nuk është shpërbërë. Ai po mbijeton përmes një sistemi më të errët, më të përqendruar te siguria dhe me më shumë pushtet të deleguar. Republika Islamike nuk u shemb pas Khameneit. Ajo u bë shumë më e vështirë për t’u lexuar. \tesheshi