Senatori amerikan kritikon vendet që normalizojnë marrëdhëniet me Assad-in e Sirisë

Jim Risch

Senatori amerikan, Jim Risch, ka kritikuar vendet të cilat, siç tha ai, po normalizojnë marrëdhëniet me kreun e regjimit sirian, Bashar al-Assad, transmeton Anadolu Agency (AA).

Senatori republikan nga shteti Idaho tha se këto vende duhet të punojnë për të zbatuar një rezolutë të miratuar nga Këshilli i Sigurimit të Kombeve të Bashkuara (KS-OKB) mbi një udhërrëfyes për një proces të paqes në Siri.

“Është e turpshme që një numër në rritje i vendeve janë të hapura për normalizimin e marrëdhënieve me Assad-in. Emiratet e Bashkuara Arabe dhe të tjerët që po injorojnë dhunën e vazhdueshme kundër civilëve sirianë duhet të punojnë drejt zbatimit të rezolutës 2254 të KS-OKB-së para se të ndërmarrin ndonjë hap të mëtejshëm drejt normalizimit”, shkroi Risch në llogarinë e tij në twitter.

Postimi në twitter i senatorit amerikan, i cili është anëtar i rangut të Komitetit të Marrëdhënieve me Jashtë në Senat, vjen disa ditë pasi sekretari amerikan i shtetit, Antony Blinken, u takua me homologun e tij në Emiratet e Bashkuara Arabe dhe diskutoi me të një sërë çështjesh.

Blinken dhe Abdullah bin Zayed al-Nahyan u takuan më 3 nëntor në margjinat e seancës së OKB-së për ndryshimet klimatike COP26, që u mbajtë në Glasgow të Skocisë.

Sipas Deparmtentit të Shtetit, gjatë takimit u diskutuan çështjet rajonale, përfshirë zhvillimet në Liban dhe Siri.

Në muajin mars të vitit 2011, në Siri shpërthyen protesta popullore që bënin thirrje për fillimin e një transferimi paqësor të pushtetit, por regjimi i Assad-it zgjodhi të shtyp demonstratat ushtarakisht, gjë që e çoi vendin në një luftë shkatërruese civile. /aa