Senatori republikan Lindsey Graham ka reaguar ndaj pjesëmarrjes së aktivistes suedeze Greta Thunberg në një mision humanitar për të thyer bllokadën detare izraelite ndaj Gazës, të organizuar nga koalicioni Freedom Flotilla Coalition (FFC).
“Shpresoj që Greta dhe miqtë e saj dinë të notojnë,” shkroi Graham në rrjetin X.
Postimi u interpretua nga shumë përdorues si një kërcënim, duke kujtuar se një përpjekje e mëparshme e FFC-së ishte goditur nga një sulm me dron që dëmtoi anijen e tyre — një sulm për të cilin aktivistët fajësuan Izraelin.
Në reagim ndaj postimit të senatorit, përdorues të rrjetit X pyetën: “Pse një senator amerikan kërcënon një aktiviste të re për klimën?” dhe “Pse një politikan 69-vjeçar po bën shaka me mbytjen e një 22-vjeçareje nga Suedia? A ka rënë kaq poshtë politika amerikane?”
Greta Thunberg dhe aktori i “Game of Thrones” Liam Cunningham janë mes pjesëmarrësve në këtë mision, i cili u nis nga Italia të dielën. /mesazhi






