Serbët e veriut kërcënojnë me aktivitete tjera kundër taksës, Kosova nuk tërhiqet

Javën e kaluar Serbia përgatiti një skenar për qytetarët serbë të pjesës veriore të Kosovës, duke inskenuar një lloj ‘katastrofë humanitare’.

Duke pretenduar se qytetarëve të asaj pjese po iu mungojnë edhe gjërat elementare, të hënën me urdhër të presidentit serb, Aleksandar Vuçiq u mbyllën të gjitha dyqanet. Ky veprim i Serbisë, ishte një tentim i dështuar për heqje të taksës 100 për qind ndaj mallrave të tyre, shkruan lajmi.net.

Ministria e Tregtisë dhe Industrisë në bashkëpunim më bizneset vendore, dje ka dërguar tri pika shitëse mobile me mallra ushqimore në veri të vendit në mënyrë që qytetarët t’i blejnë produktet esenciale.

Pikat shitëse mobile, kanë qëndruar në tri komunat veriore, Zubin Potok, Leposaviq dhe në Mitrovicën e Veriut.

Përderisa MTI deklaroi se serbët e veriut kanë pranuar të furnizohen me artikuj ushqimor, nga ana tjetër Shoqata e Biznesmenëve serbë të Kosovës ka thënë se kanë refuzuar të blejnë ushqime nga pikat alternative të shitjes që i bëri qeveria. Ndërsa sot, me vendim të kësaj Shoqate, dyqanet në veri janë hapur.

Ata deklaruan se këto dy ditë të mbylljes ka qenë vetëm shenjë paralajmëruese, ndërsa aktivitetet në veri kundër taksës nuk do të ndalen.

“Ne jemi të vetëdijshëm se na pret një luftë e gjatë, e cila kërkon unitet, përpjekje, ndoshta sakrifica. Nëse Kosova vazhdon me të njëjtën politikë, gjërat mund të shkojnë në rrugë pa kthim”, thanë ata.

Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala tha sot të gjitha lokalet në pjesën veriore të vendit janë të hapura, pas detyrimeve nga jashtë për mbylljen e tyre.

Në një prononcim për lajmi.net, Shala tha se kurdo që bëhet një veprim i njëjtë, qeveria do të dërgojë shitës ambulantiv në mënyrë që qytetarët e asaj pjese të kenë mundësi për t’u furnizuar me ushqim.

“Serbia i ka detyruar me dhunë t’i mbyllin dyqanet. Sa herë të bëhet një veprim i tillë ne do të dërgojmë shitës ambulantiv në mënyrë që qytetarët e asaj pjese të kenë mundësinë që të furnizohen. Ky tentim për të shkaktuar kinse ‘katastrofë humanitare’ ka marrë fund”, deklaroi Shala.

I pyetur se nga po furnizohen dyqanet në veri pas inskenimit të mungesës së mallrave, Shala ka thënë se nuk është në dijeni për këtë.

“Unë nuk mund të them saktësisht se nga furnizohen ato dyqane, po sigurisht me të njëjtat që furnizohet Prishtina e komunat tjera”, ka thënë ministri.

Se nga i marrin mallrat këto biznese serbe, nuk u bë e qartë as dje nga Shoqata e Biznesmenëve serbë të Kosovës.