Serbët: Fletarresti për Haradinajn është politik, Vuçiq si Millosheviqi

Prokuroria serbe e ngarkon ish kryeministrin Ramush Haradinaj me aktakuzë për vrasjen e 63 personave. Mirëpo, pretendimet e prokurorisë serbe, që datojnë që nga viti 2004, janë hedhur poshtë në dy gjykime që Haradinaj i ka pasur në Tribunalin e Hagës.

Edhe mediat serbe, respektivisht gazeta më e madhe “Blic” raporton se këto akuza për Haradinajn janë përpiluar në kohën e Millosheviqit.

“… Haradinaj sigurisht nuk do të përballet me akuza as pas arrestimit në Francë”, shkruan “Blic”.

“Për rastin e Haradinajt, të cilin Prokuroria serbe për krime lufte e ngarkon më 63 vrasje, nuk do të ketë gjykim të drejt ligjor, por politik. Haradinaj përveç aktgjykimit lirues në Tribunalin e Hagës, e ndihmojnë edhe aktakuza dhe kallëzimi penal të cilat prokuroria serbe dhe policia i kanë ngritur kundër tij në kohën e pushtetit të Sllobodan Millosheviqit. Këto aktakuza dhe kallëzime janë ngritur me automatizëm, pa fakte të mjaftueshme, kështu që Haradinaj mund të thotë se është i akuzuar politikisht”, shkruan “Blic”, transmeton lajmi.net.

“E kam parë të gjithë dokumentacionin të cilin shteti i Serbisë i ka dërguar Tribunalit të Hagës, por nuk ka pasur përgjigje të bisedave që të cilat ishin në DB (Sigurimi Shtetëror). Po ashtu shumë dokumente nuk janë dorëzuar. Nuk e di ku janë zhdukur të gjitha”, ka thënë Zoran Stijoviq, ish pjesëtar i DB-së, i cili ka dëshmuar në Hagë kundër Haradinajt, Idriz Balajt dhe Lahi Brahimajt.

Po ashtu, ai thotë se në “Librin e Bardhë” për aktivitetin e UÇK-së të cilin e ka hartuar BIA serbe në vitin 2003 thuhet se në tetor të vitit 1998 UÇK-ja nuk ka pasur komandë.

Analisti Dushan Janjiq thotë se fletarrestet të cilat janë ngritur në kohën e Millosheviqit janë refuzuar në tërë Evropën.

“Gjykata në Francë do të shqyrtojë nëse fletarrestet tona janë të motivuara politikisht. Ekziston dyshimi i përgjithshëm në fletarrestet nga Serbia, kurse në Francë ekziston lob i fuqishëm i shqiptarëve. Nuk e di se çfarë duhet të ndodh që qeveria jonë të fillojë të punojë. Duhet t’i ndërprerë keqpërdorimet politike dhe standardet e gjyqësisë së Millosheviqit”, thotë Janjiq.