Serbët pro- rusë protestojnë në Beograd: Kosova është Serbi dhe Krimea Rusi

Serbët pro- rusë protestojnë në Beograd me foton e Carit, në mbështetje të Rusisë dhe luftës së saj në Ukrainë, nga ku nuk kanë munguar as thirrjet Kosova është pjesë e Serbisë e ndërsa Krimea është Rusi.

Kosova është Serbi dhe Krimea është Rusi, ka qenë ky një nga sloganet ultra-nacionaliste të protestës së të premtes mbrëma në Beograd.

Mijëra persona u mblodhën në qendër të kryeqytetit me flamuj rusë për të treguar edhe njëherë mbështetjen pro Rusisë.

Tubimi, i quajtur ‘Jo në emrin tim’ kishte për qëllim të kundërshtonte votën e javës së kaluar të ambasadorit serb në OKB për përjashtimin e Rusisë nga Këshilli i të Drejtave të Njeriut.

Megjithëse nuk dolën aq urgjent sa presidenti Vuçiç për të justifikuar votën përpara Kremlinit, serbët u mblodhën një javë me vonesë.

Demonstruesit shpalosën një flamur trengjyrësh 20 metra të gjatë, i cili nga një kënd dukej si flamuri i Rusisë, dhe nga tjetri si flamuri i Serbisë, duke brohoritur ‘Serbët dhe rusët vëllezër përgjithmonë’.

Protesta e 15 prillit konfirmoi edhe njëherë përse Serbia nuk ka vendosur sanksione ndaj Rusisë për sulmin e saj ndaj Ukrainës në 24 shkurt, ndryshe nga gjithë pjesa tjetër e botës perëndimore. /oranews