Serbi, hapet qendra e sekuencës së gjenomit, në bashkëpunim me Kinën

Në Beograd u hap një qendër e re për vlerësimin e gjenomit, që do të ndihmojë Serbinë të luftojë më mirë koronavirusin.

Qendra, e vendosur në Institutin e Gjenetikës Molekulare dhe Inxhinierisë Gjenetike të Serbisë (IMGGE), është një projekt bashkëpunimi midis Serbisë dhe Kinës. Serbia ka investuar 600 milionë RSD (5.6 milionë dollarë amerikanë) në ndërtimin e qendrës. Ndërkohë, kompania kineze BGI ka dhuruar pajisje.

Në ceremoninë e hapjes, kryeministrja serbe Ana Brnabic, tha se Inteligjenca Artificiale, bioteknologjia, biomjekësia, bioinformatika dhe bioekonomia, përfaqësojnë hapin e ardhshëm në zhvillimin e Serbisë, duke e lejuar vendin të kapë ritmin e një tregu global me rritje të shpejtë.

“Për sa i përket pandemisë së koronavirusit, do të jemi në gjendje të monitorojmë vetë të gjithë mutacionet, nuk do të kemi më nevojë ta marrim këtë informacion nga jashtë… Kjo do të thotë se mund të trajtojmë më mirë pacientët e sëmurë me koronavirus dhe do të zhvillojmë një betejë më të suksesshme kundër virusit”, shpjegoi kryeministrja.

Jelena Begovic, drejtoresha e IMGGE, tha se biomjekësia do të “ndikojë në cilësinë e jetës së të gjithë vendit”. “Mendoj se kjo është një ditë e madhe për teknologjinë dhe shkencën në Serbi dhe përfaqëson fillimin e një të ardhmeje të ndryshme për të gjithë ne… Ky është një investim për të ardhmen tonë, jo vetëm për të tashmen”.

Serbia ka bashkëpunuar tashmë me grupin kinez BGI, për të ndërtuar dy laboratorë për testimin PCR të mostrave të koronavirusit, tha ajo. Ambasadori kinez në Serbi, Chen Bo, tha se aftësia e përmirësuar e Serbisë për të sekuencuar gjenomet dhe për të monitoruar mutacionet e virusit, do të rrisë aftësinë e vendit për të kontrolluar epideminë.

“Nga dhurimet e para të testeve PCR dhe ndërtimi i dy laboratorëve, deri në hapjen e sotme të kësaj qendre, bashkëpunimi midis Serbisë dhe BGI-së, ka reflektuar bashkëpunimin e suksesshëm të dy vendeve në luftën kundër pandemisë. Hapja e kësaj qendre do të ofrojë mundësi shtesë për bashkëpunimin në fushën e mjekësisë dhe biologjisë”, tha ajo. /monitor