Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Serbia vazhdon të furnizojë sionistët me armë

Serbia vazhdon të furnizojë sionistët me armë

Partneriteti ushtarak me Elbit Systems po i sfidon hapur paralajmërimet e OKB-së

Serbia pritet të nisë së shpejti prodhimin e dronëve në bashkëpunim me gjigantin izraelit të mbrojtjes, Elbit Systems, pavarësisht akuzave të rënda për përfshirjen e kësaj kompanie në operacionet ushtarake në Gazë.

Një hetim i përbashkët i BIRN dhe Haaretz, ka zbuluar detaje të reja mbi këtë bashkëpunim strategjik midis Beogradit dhe Tel Avivit, që po thellohet në një kohë tensionesh të larta globale.

Në fillim të marsit, presidenti serb Aleksandar Vuçiç njoftoi hapjen e një fabrike për prodhimin e dronëve “më të sofistikuar në botë”. Ndonëse ai nuk e specifikoi partnerin, dokumentet zyrtare konfirmojnë se fabrika do të jetë në pronësi të përbashkët të Elbit Systems (me pesëdhjetë e një për qind të aksioneve) dhe kompanisë shtetërore serbe Yugoimport-SDPR.

Ky partneritet vjen në një moment kritik. Në qershor 2025, Francesca Albanese, Raportuesja Speciale e OKB-së, e listoi Elbit Systems si një nga kompanitë që përfiton nga “gjenocidi i vazhdueshëm” në Gaza, ku mbi shtatëdhjetë mijë palestinezë kanë humbur jetën që nga tetori i vitit 2023.

Megjithatë, Beogradi ka zgjedhur t’i injorojë këto thirrje etike, duke e rritur vlerën e eksporteve të armëve drejt Izraelit me dyzet e dy herë brenda një viti dhe arritur shifrën e njëqind e katërmbledhjetë milionë eurove.

Sipas ekspertëve, ky bashkëpunim ka dy dimensione kryesore. Së pari përfitimi teknologjik. Inxhinierët serbë, përfshirë ata të kompanisë UTVA, do të përfitojnë nga transferimi i teknologjisë izraelite për të prodhuar dronë me rreze të shkurtër dhe të gjatë (deri në gjashtë mijë metra lartësi), shumë më të avancuar se modeli aktual serb “Pegasus”.

Së dyti tek llogaritjet gjeopolitike. Për elitën në pushtet në Serbi, Izraeli shihet si një “rrugë e shkurtër” për të siguruar mbështetjen e Shtëpisë së Bardhë, veçanërisht nën ndikimin e lëvizjeve të fundit të administratës Trump në skenën ndërkombëtare.

Nga ana tjetër, Izraeli synon të sigurojë një zinxhir furnizimi ushtarak jashtë Lindjes së Mesme, një rajon që mbetet vazhdimisht i paqëndrueshëm. Raportet e OKB-së theksojnë se dronët e Elbit, të cilët tashmë po prodhohen pjesërisht me asistencë serbe, përdoren për mbikëqyrje masive, kontroll turmash dhe vrasje të synuara në territorin palestinez.

Ndërsa vende si Norvegjia, Spanja dhe Danimarka dhe Suedia kanë bojkotuar Elbit Systems për shkak të shkeljeve të ligjit ndërkombëtar, Serbia po pozicionohet si një nga aleatët më të vendosur të Izraelit.

Vetëm në fillim të vitit 2025, Beogradi bleu sisteme artilerie dhe dronë me vlerë treqind e tridhjetë milionë dollarë, duke u pasuar nga një marrëveshje tjetër të madhe prej një miliardë e gjashtë qind milionë dollarësh në gusht të po atij viti.

Pavarësisht reagimeve të ashpra nga aktivistët e të drejtave të njeriut dhe paralajmërimeve për bashkëfajësi në krime lufte, makineria e bashkëpunimit ushtarak serbo-izraelit po marshon me shpejtësi.

Siç u shpreh Albanese gjatë vizitës së saj në Serbi, ky vend po sillet si një aleat i palëkundur i Tel Avivit, pa treguar asnjë reflektim ndaj pasojave humanitare që mjetet e prodhuara prej tyre po shkaktojnë në terren. /tesheshi