Sërish Holanda: Jo negociata për Shqipërinë, po për Maqedoninë

Holanda beson se Bashkimi Evropian nuk duhet të hapë negociatat e anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian. Kështu është shprehur Stef Blok, ministër i Jashtëm, pas mbledhjes së kabinetit qeveritar holandez, shkruan topchannel.

Sipas Blok, Shqipëria nuk është ende gati për negociatat.

“Shqipëria duhet të ndërmarra hapa të tjerë në luftën kundër korrupsionin dhe të përmirësojë sundimin e ligjit”, është shprehur ministri holandez.

Sa i përket Maqedonisë së Veriut, Blok ka deklaruar se Qeveria ku ai bën pjesë është e interesuar për hapjen e negociatave me shtetin ballkanik.

“Maqedonia e Veriut ka bërë hapa të mëdhenj përpara. Përparimi në sundimin e ligjit duhet të vazhdojë”, është shprehur Blok.

Holanda bëhet shteti i parë i Bashkimit Evropian që konfirmon votën kundër Shqipërisë në mbledhjen e Këshillit Evropian që do të organizohet më 18 tetor, ndërkohë që Franca, gjithashtu një skeptike, nuk ka folur ende.