SHBA e kënaqur nga takimi Kim-Moon

Qeveria e SHBA-ve e sheh si një zhvillim pozitiv takimin mes presidentit të Koresë së Jugut, Moon Jae-in dhe liderit të Koresë së Veriut, Kim Jong-un, transmeton Anadolu Agency (AA).

Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Sarah Sanders në deklaratën me shkrim në lidhje me çështjen e vlerësoi si “historike” takimin Kim-Moon.

“Kemi shpresë se negociatat do të ofrojnë avancim në rrugën për një të ardhme me paqe dhe mirëqenie për gjithë Gadishullin Korean”, tha Sanders.

Ajo poashtu tha se presin që takimi mes presidentit të SHBA-ve Donald Trump dhe liderit verikorean të realizohet brenda javëve të ardhshme.

Lideri i Koresë së Veriut, Kim Jong-un dhe presidenti i Koresë së Jugut, Moon Jae-in u takuan në zonën e përbashkët të sigurisë ndërkufitare të Panmunyom.

Kim, i cili u nis nga Pheniani për në takim, kaloi në pjesën jugore të kufirit në mes të dy shteteve për t’u takuar me presidentin Moon, i cili kishte arritur pak para tij në Panmunyom.

Kim në këtë mënyrë u bë udhëheqësi i parë i Koresë së Veriut i cili shkeli në territorin e Koresë së Jugut që nga Lufta Koreane në vitet 1950-1953.

Të dy liderët pritet që me një konferencë për media të njoftojnë gjithë botën në lidhje me rezultatet e samitit një ditor.