SHBA-ja po punon me Poloninë për mundësinë që t’i dërgojë aeroplanë luftarakë Ukrainës

SHBA-ja është duke punuar me Poloninë për mundësinë që t’i ofrohen aeroplanë ushtarakë Ukrainës, njofton një zëdhënës i Shtëpisë së Bardhë, raporton CNN.

Po ashtu është duke u konsultuar edhe me aleatët tjerë të NATO-s.

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka bërë thirrje te shtetet e Evropës Lindore, që të dërgojnë aeroplanë ushtarakë në Ukrainë.

Autoritetet amerikane po diskutojnë me ato polake, në mënyrë që Polonia t’i ofrojë Ukrainës aeroplanë ushtarakë të epokës sovjetike, ndërsa në këmbim SHBA-ja do t’i ofrojë Polonisë aeroplanë amerikanë F-16.

Zelensky sërish në një takim virtual me 300 ligjvënës amerikanë ka bërë thirrje për më tepër aeroplanë ushtarakë.

Pilotët ukrainas raportohet se kanë nevojë për aeroplanë të prodhuar në Rusi pasi ata janë stërvitur specifikisht me ata aeroplanë.

“Ne jemi duke punuar me polakët në këtë çështje dhe jemi duke u konsultuar me pjesën tjetër të aleatëve të NATO-s”, ka thënë zyrtari raporton CNN. /koha