SHBA, kongresi merr në pyetje Facebook e Twitter

Përfaqësues të Facebook dhe Twitter kanë dëshmuar në Kongresin amerikan lidhur me kundërpërgjigjen ndaj tentativave për ndërhyrje në zgjedhje. Ata konfirmuan se vepruan shumë ngadalë kundër këtij fenomeni. Ndërsa Google nuk u paraqit.

Përfaqësuesit e “Facebook” dhe “Twitter” janë përballur me pyetje të shumta gjatë dëshmisë së tyre në Kongresin amerikan. Ata kanë thënë se iu desh shumë kohë për të trajtuar fushatat e huaja që synonin ndërhyrjen në zgjedhjet e SHBA-ve. Duke iu përgjigjur ligjvënësve, shefja operative e Facebook, Sheryl Sandberg, tha se rrjeti social ishte “shumë i ngadaltë” në veprimet për të kundërshtuar ndërhyrjen e zgjedhjeve. Shefi ekzekutiv i Tëitter, Jack Dorsey, tha se platforma e tij ishte “e papërgatitur dhe e keq-pajisur” lidhur me këtë çështje. Ndërsa “Google” nuk u paraqit në seancën e Komisionit të Inteligjencës të Senatit.

Duke hapur seancën dëgjimore, senatori democrat Mark Warner tha se është shumë i zhgënjyer që Google vendosi të mos marrë pjesë. Komiteti i senatit u fokusua në atë se çfarë po bëjnë gjigandët e teknologjisë për të parandaluar në të ardhmen ndëhyrjen në zgjedhje. Kjo vjen pas pretendimeve se Rusia dhe aktor të tjerë të huaj kanë shpërndarë dezinformim dhe propagandë përpara zgjedhjeve presidenciale të 2016-ës.

Senatori Warner paralajmëroi rrjetet sociale se mund të përballen me një rregullator të ri. Ndërkohë, përpara dëgjesës, Facebook publikoi në internet dëshminë e tij, duke nënvizuar se ka fshirë mbi 1 miliardë llogari false nga tetori i 2017-s deri në mars të 2018-s. Gjithashtu nënvizon se ka punësuar 20 mijë persona lidhur me sigurinë në internet. Ditë më parë Presidenti Amerikan Donald Trump akuzoi Google, Facebook dhe twitter për anëshmëri politike dhe paralajmëroi se do të vendosë rregullator ndaj platformave. /abcnews.al