
Uashingtoni ka miratuar një paketë shitjesh armësh në vlerë 6.67 miliardë dollarë për Izraelin, pavarësisht armëpushimit të brishtë në Rripin e Gazës. Departamenti amerikan i Shtetit njoftoi se Izraeli është autorizuar të blejë armë të prodhimit amerikan, përfshirë 30 helikopterë sulmues Apache me vlerë 3.8 miliardë dollarë dhe mjete këmbësorie sulmuese në vlerë 1.98 miliardë dollarë.
Helikopterët Apache do të furnizohen nga kompanitë Boeing dhe Lockheed Martin. Një kontratë tjetër ushtarake është miratuar në vlerë 740 milionë dollarë, ndërsa rreth 150 milionë dollarë do të shpenzohen për helikopterë të lehtë shërbimi.
Forcat izraelite i kanë përdorur gjerësisht helikopterët Apache në sulme kundër palestinezëve në Bregun Perëndimor të pushtuar dhe në Rripin e Gazës. Sipas autoriteteve shëndetësore në Gaza, që nga tetori 2023 janë vrarë të paktën 71,662 persona në luftën izraelite në enklavë.
“SHBA është e përkushtuar ndaj sigurisë së Izraelit dhe është në interes jetik të sigurisë kombëtare amerikane të ndihmojë Izraelin të ruajë një aftësi të fortë vetëmbrojtjeje,” thuhet në deklaratën e Departamentit të Shtetit, duke shtuar se shitja e propozuar është në përputhje me këto objektiva.
Shtetet e Bashkuara dërgojnë çdo vit miliarda dollarë ndihma ushtarake për Izraelin, kryesisht si ndihmë dhe jo si shitje. Organizata të të drejtave të njeriut dhe ekspertë të Kombeve të Bashkuara kanë kërkuar vazhdimisht ndalimin e dërgesave të armëve, duke argumentuar se ato kanë ndihmuar në vazhdimin e luftës në Gaza.
Megjithëse armëpushimi mes Izraelit dhe Hamasit ka hyrë në fuqi më 10 tetor 2025, sulmet izraelite kanë vazhduar, duke shkaktuar vdekjen e afro 500 personave që nga hyrja në fuqi e marrëveshjes.
Ndërkohë, Departamenti i Shtetit ka miratuar edhe një shitje armësh në vlerë 9 miliardë dollarë për Arabinë Saudite, që përfshin 730 raketa Patriot dhe pajisje të lidhura me to, të destinuara për mbrojtje kundërraketore.
Kjo ndodh në një kohë kur presidenti amerikan Donald Trump ka deklaruar se një “armadë” anijesh luftarake amerikane është zhvendosur pranë Iranit, për shkak të tensioneve në rritje. Arabia Saudite ka bërë të ditur se nuk do të lejojë përdorimin e hapësirës së saj ajrore apo territorit për sulme ushtarake kundër Iranit, nga asnjë palë. /mesazhi







