ShBA ndan vaksina antiCovid-19 për Kosovën

Shtetet e Bashkuara të Amerikës do t’i dhurojnë Kosovës një numër të konsiderueshëm të vaksinave.

Presidentja Vjosa Osmani, përmes një statusi në Facebook, ka bërë të ditur se presidenti i ShBA-së, Joe Biden, i është përgjigjur pozitivisht kërkesës së saj për ndarjen e vaksinave për Kosovën.

Osmani nuk ka bërë të ditur se cila do të jetë shuma e vaksinave, por shton se njoftimi zyrtar i sotëm është tjetër dëshmi e mbështetjes së palëkundur që vendi ynë e gëzon historikisht nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Ky është statusi i tij i plotë:

Më 19 mars 2021, i kam shkruar Presidentit Biden duke kërkuar mbështetjen e Shteteve të Bashkuara për dhurimin e vaksinave në kohën kur Kosova ishte i vetmi shtet në Evropë që ende nuk kishte filluar administrimin e tyre. Më 19 Prill 2021 Presidenti Biden u përgjigj pozitivisht në të cilën ai u zotua për ta trajtuar kërkesën tonë rreth vaksinave.  Sot, ne jemi të lumtur të njoftojmë se Presidenti Biden, në emër të SHBA-ve, ka vendosur të dhurojë një numër të rëndësishëm të vaksinave COVID-19 për Republikën e Kosovës.

Dua të shpreh mirënjohjen time më të thellë për Presidentin Biden për këtë gjest bujar dhe për dhurimin e vaksinave COVID-19 për Republikën e Kosovës pas kërkesës së adresuar atij në muajin mars. Njoftimi zyrtar i sotëm është tjetër dëshmi e mbështetjes së palëkundur që vendi ynë e gëzon historikisht nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Presidenti Biden ka qenë gjithmonë mik i Kosovës dhe ky donacion ilustron kujdesin dhe konsideratën e pakursyer që ai vazhdon të tregojë ndaj popullit tonë.  Në emër të qytetarëve të Republikës së Kosovës e falënderoj përzemërsisht.

Kosova dhe institucionet tona vazhdojnë të mbeten të palëkundura në orientimin Euro-Atlantik dhe të njëjtën politikë e kanë ndjekur edhe në sigurimin e vaksinave.

Zoti e bekoftë Kosovën dhe aleatin tonë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës.