SHBA – Një tjetër afro-amerikan vritet nga policia

Një afro-amerikan u vra nga policia në Karolinën e Veriut duke u bërë personi i parë me ngjyrë i vrarë nga forcat e sigurisë që prej njoftimit të martën të dënimit të policit Derek Chauvin për vrasjen e George Floyd.

Andrew Brown Jr “u plagos për vdekje nga një polic, i cili kishte ardhur për t’i komunikuar atij një urdhër kontrolli në Elizabeth City, një qytet i vogël në këtë shtet në juglindje të SHBA-së”, theksoi sherifi i qarkut Pasquotank Tommy Wooten gjatë një raporti.

Sipas mediave lokale, duke cituar dëshmitarë, Andrew Brown u qëllua ndërsa po largohej nga oficerët në makinën e tij.

”Dyzet vjeç dhe baba i 10 fëmijëve, ai ishte i paarmatosur”, theksoi familja e tij, cituar nga kanali televiziv lokal WAVY.

Vdekja e tij ndodhi pas verdiktit historik në procesin e policit, Derek Chauvin, i shpallur fajtor për tre akuza, si ajo e vrasjes së George Floyd à Minneapolis, në Minnesota.

Gëzimi i shkaktuar nga njoftimi i fajësisë së tij, u zbeh nga vdekja e një adoleshenteje me ngjyrë në Columbus, në Ohajo, të paktën një orë para njoftimit të verdiktit.

Ma’Khia Bryant, 16 vjeçe, u vra nga një polic, ndërkohë që po sulmonte me thikë një person tjetër. /atsh