SHBA – Padi kundër një poligoni qitjeje; nuk i lejoi hyrjen një gruaje myslimane

Sipas kërkesëpadisë, një gruaje myslimane të quajtur Rania Barakat, e cila shkoi së bashku me të shoqin në poligonin e quajtur “Frontier Justice” në Kansas-Siti, iu kërkua të hiqte shaminë e saj që të lejohej të hynte në biznes.

Drejtuesit e biznesit nuk e lejuan znj. Barakat të përdorte poligon duke argumentuar se për arsye sigurie, kapela e bejsbollit është i vetmi aksesor që mund të përdorin personat që duan të bëjnë qitje, sipas kodit të veshjes.

Rania Barakat, e cila u këshillua fillimisht me zyrtarët e degës së Këshillit për Marrëdhëniet Amerikano-Islame (CAIR), ngriti një padi kundër poligonit “Frontier Justice” në Gjykatën Federale të Kansas-Sitit me motivacionin “për shkelje të lirive fetare dhe diskriminim”.

Autoritetet e CAIR-it vunë në pah se poligoni në fjalë i ka penguar edhe më parë gratë myslimane me shami koke që të përdornin ambientet e tij për të njëjtën arsye.

Në një deklaratë për agjencinë e lajmeve “Associated Press” (AP), zyrtarët e “Frontier Justice” pohuan se ata e aplikojnë kodin e veshjes ndaj të gjithëve për sigurinë e klientëve duke argumentuar se shamia e kokës mund të merrte flakë nga shkëndijat që dalin prej armës gjatë qitjes. /trt