SHBA, rritet në 31 numri i të vdekurve nga uragani Florence

Rritet në 31 numri i personave që humbën jetën si pasojë e uraganit Florence, i cili ka marrë nën ndikim lindjen e SHBA-ve që nga dita e premtë dhe tashmë ka rënë në kategorinë “depresion tropikal”, transmeton Anadolu Agency (AA).

Zyrtarët njoftojnë se 31 persona, 24 prej tyre nga Karolina Veriore, kanë humbur jetën si pasojë e uraganit.

Qendra Kombëtare për Uraganin kishte njoftuar se për shkak të rënies së shpejtësisë deri në 56 kilometra në orë uragani Florence është reduktuar në kategorinë “depresion tropikal”.

Uragani ka përmbytur shumë shtëpi në Karolinën Veriore dhe Jugore. Autoritetet paralajmëruan se ujërat e përmbytjeve mund të arrijnë deri në një metër, ndërsa theksohet se më shumë se një milion njerëz në 2 rajonet kanë mbetur pa energji elektrike.

Nga uragani ku mund të preken më shumë se 10 milionë persona, parashikohet se do të shkaktojë edhe një dëm me vlerë rreth 170 miliardë dollarë.