SHBA, Senati miraton rezolutë për bllokimin e shitjes së armëve Arabisë Saudite

Senati i Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) miratoi një rezolutë që parasheh bllokimin e shitjes së armëve Arabisë Saudite, një masë që në të njëjtën kohë paraqet kritikë për presidentin amerikan Donald Trump, raporton Anadolu Agency (AA).

Rezoluta e cila kishte mbështetjen e dy partive, kaloi me një votim prej 53 votash pro 45 kundër dhe është e para nga 22 rezoluta të përgatitura që kanë për qëllim bllokimin e shitjeve ushtarake në Lindjen e Mesme.

Votimi mund të ndalojë shitjet me vlerë miliarda dollarë të municioneve për Rijadin.

Megjithatë, projektligji ende duhet të kalojë në Dhomën e Përfaqësuesve dhe me gjasë të madhe Trump do të vë veto, ndërsa Senati nuk duket të ketë shumicë të mjaftueshme për të anashkaluar një veto të mundshme.

Demokratët dhe republikanët kanë bashkuar forcat në zemërimin e tyre ndaj administratës së Trumpit, e cila ka përdorur deklaratën e saj të gjendjes së emergjencës për shkak të Iranit për të anashkaluar Kongresin dhe për të miratuar shitjen e armëve Mbretërisë.

Rreth dy duzina rezoluta të përbashkëta kundër shitjeve ushtarake kanë për qëllim të kritikojnë deklaratën e administratës Trump.

Muajin e kaluar, Trump aktivizoi një dispozitë të përdorur rrallë të ligjeve të kontrollit të armëve për të anashkaluar Kongresin dhe për të autorizuar shitjen e armëve Arabisë Saudite dhe aleatëve të Gjirit. Gjersa shitjet e armëve zakonisht kalojnë nëpër një periudhë shqyrtimi 30-ditore në Kongres, dispozita lejon që ky proces të tejkalohet në rast emergjencash.

Po ashtu, ekziston një zemërim te të dyja partitë amerikane brenda Kongresit lidhur me mbështetjen e administratës së Trumpit ndaj Arabisë Saudite përkundër presionit të ligjvënësve për të ndëshkuar vendin për vrasjen e gazetarit saudit dhe kolumnistit të Washington Postit Jamal Khashoggi tetorin e kaluar.