“SHBA-të ende lider global, por jo edhe presidenti Trump”

Sipas një sondazhi të realizuar në 25 shtete nga një kompani e opinionit publik me qendër në SHBA është zbuluar se përkundër asaj që SHBA vazhdon të vlerësohet si lider global, niveli i besueshmërisë së presidentit Donald Trump është i ulët, transmeton Anadolu Agency (AA).

Qendra e hulumtimeve Pew me qendër në Washington mes datave 20 maj-12 gusht ka realizuar një sondazh me 26 mijë e 112 persona nga 25 shtete, ku ka vlerësuar popullaritetin e SHBA-ve dhe të presidentit të saj, Donald Trump.

Në sondazh është konstatuar që pjesëmarrësit nga shumica e vendeve ende vazhdojnë të vlerësojnë SHBA-të si lider global kundër Kinës, por presidenti Trump nuk mori notë kaluese si një lider global.

Mbështetja për Trumpin ka mbetur në 27 për qind

Sipas këtij sondazhi vetëm 27 për qind e pjesëmarrësve janë shprehur se “besojnë që Trump do të bëjë punën e duhur në ngjarjet botërore”, ku vetëm shumica e pjesëmarrësve nga shtetet si Izraeli, Nigeria, Kenia dhe Filipinet kanë shprehur qëndrime pozitive ndaj presidentit Trump.

Pavarësisht prej qëndrimit negativ ndaj udhëheqjes së presidentit Trump, 63 për qind e pjesëmarrësve në sondazh janë shprehur se mbështesin rendin botëror ku SHBA-të janë fuqi udhëheqëse.

“SHBA-të nuk po i shikojnë interesat e shteteve tjera”

Në sondazh thuhet se roli i SHBA-ve në marrëdhëniet ndërkombëtare është shumë më i ulët në krahasim me periudhën e presidentit të mëparshëm, Barack Obama.

“SHBA gjatë përcaktimit të politikës së jashtme nuk ka shikuar interesat e shteteve tjera përveç vetvetes. Përkundër qëndrimit të viteve të mëparshme për zgjidhjen e problemeve globale, ka treguar një përpjekje shumë të vogël dhe për këtë arsye fuqia e butë e SHBA-ve po zvogëlohet gradualisht”, janë shprehur analistët e Qendrës Hulumtuese Pew.

Presidenti i SHBA-ve, Donald Trump, prej kur ka ardhur në pozitë me zgjedhjet presidenciale të muajit nëntor të vitit 2016, kishte nisur luftën doganore, kishte refuzuar marrëveshjet kryesore ndërkombëtare si Marrëveshja Klimatike e Parisit, si dhe kishte vënë në dyshim marrëdhëniet me aleatët e vjetër. Trump edhe në fjalimin e mbajtur në sesionin e 73-të të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara (OKB) u shpreh se administrata e tij preferon “doktrinën e atdhedashurisë” dhe se nuk e pranon “ideologjinë globale”.