SHBA vendos sanksione të reja ndaj Iranit

Qeveria amerikane njoftoi se janë vendosur sanksione të reja që kanë në objektiv tregtinë për disa materiale të rëndësishme që përdoren në sektorin e ndërtimit dhe atë ushtarak të Iranit, transmeton Anadolu Agency (AA). 

Në një deklaratë me shkrim nga sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo, theksohet se regjimi i sanksioneve kundrejt qeverisë së Teheranit do të vazhdojnë duke u intensifikuar. 

Në kuadër të sanksioneve është vendosur në objektiv sektori i ndërtimit që sipas sekretarit Pompeo ndodhet nën kontrollin ose ndikimin e Gardës Revolucionare të Iranit. 

Gjithashtu Mike Pompeo ka njoftuar se në kuadrin e sanksioneve është përfshirë edhe tregtia e 4 materialeve të cilat përdoren në programin bërthamor dhe raketave balistike të Iranit. 

Më parë SHBA-ja duke vendosur në objektiv strukturën financiare të Iranit përfshiu në listën e sanksioneve Bankën Qendrore të Iranit. Qeveria e Washingtonit gjithashtu shtoi në listën e sanksioneve edhe liderin iranian Ayatollah Ali Khamenei, ministrin e Jashtëm, Javad Zarif, dhe ushtrinë e Gardës Revolucionare të Iranit.