Shefi i NATO-s dhe kryeministri suedez do ta takojnë presidentin Erdoğan në fillim të nëntorit

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, do të presë Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s Jens Stoltenberg dhe kryeministrin e ri të Suedisë Ulf Kristersson gjatë javës së parë të nëntorit, transmeton Anadolu Agency (AA).

Sipas burimeve presidenciale të Turqisë, Erdoğan do të realizojë kontakte të larta diplomatike, me fokus të veçantë mbi NATO-n.

Erdoğan do ta presë kreun e NATO-s Stoltenberg më 4 nëntor në Stamboll, ndërsa dy zyrtarët pritet të trajtojnë procesin e anëtarësimit në NATO të Suedisë dhe Finlandës, si dhe zhvillimet më të fundit në lidhje me luftën Rusi-Ukrainë.

Presidenti turk më pas do të presë kryeministrin suedez më 8 nëntor në Ankara për të diskutuar lidhjet dypalëshe dhe aplikimin e vendit nordik për anëtarësim në NATO.

Pas një telefonate me presidentin turk të mërkurën, kryeministri i ri i Suedisë tha se qeveria e tij do ta respektojë memorandumin trepalësh të nënshkruar nga dy vendet dhe Finlanda në prani të NATO-s.

Kristersson tha në Twitter se biseda e tij me Erdoğan-in ishte konstruktive dhe se ai mezi pret të vizitojë Ankaranë së shpejti.

Ndërkaq, duke iu referuar një letre të dërguar nga Kristersson më 19 tetor, në të cilin ai shprehu gatishmëri për të vizituar Turqinë, presidenti Erdoğan deklaroi se do të ishte i kënaqur ta priste kryeministrin suedez në Ankara.

Suedia dhe Finlanda aplikuan zyrtarisht për t’u anëtarësuar në NATO në qershor, vendim i nxitur nga lufta e Rusisë kundër Ukrainës.

Megjithatë, Turqia, anëtare e NATO-s për më shumë se 70 vjet, shprehu kundërshtime ndaj aplikimeve të anëtarësimit, duke kritikuar të dy vendet për tolerimin dhe madje mbështetjen e grupeve terroriste.

Të tre vendet nënshkruan një memorandum trepalësh mirëkuptimi në samitin e NATO-s në qershor në Madrid, i cili përcakton se Finlanda dhe Suedia nuk do të ofrojnë mbështetje për YPG/PYD-në, degën siriane të grupit terrorist PKK, ose FETO-n.

Vendet nordike ranë dakord gjithashtu të trajtojnë kërkesat e Ankarasë për dëbim ose ekstradim për të dyshuarit për terrorizëm.

Parlamenti i Turqisë duhet të japë dritë jeshile për anëtarësimin e Finlandës dhe Suedisë në NATO.