Shefi i OKB-së: 1.2 miliardë njerëz të prekur nga lufta në Ukrainë

“Analiza jonë tregon se 74 vende në zhvillim, me një popullsi totale prej 1.2 miliardë njerëzish, janë të prekur veçanërisht ndaj rritjes së kostove të ushqimit, energjisë dhe plehrave”, tha Guterres

Sekretari i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara (OKB), Antonio Guterres, luftën në Ukrainë e quajti “një nga sfidat më të mëdha për rendin ndërkombëtar”, sepse nga ajo janë prekur miliarda njerëz në mbarë botën, transmeton Anadolu Agency (AA).

“Analiza jonë tregon se 74 vende në zhvillim, me një popullsi totale prej 1.2 miliardë njerëzish, janë të prekur veçanërisht ndaj rritjes së kostove të ushqimit, energjisë dhe plehrave”, tha Guterres në një fjalim në Këshillin e Sigurimit të OKB-së.

Shefi i OKB-së tha se bota “po përballet me një pushtim të plotë në shkelje të Kartës së OKB-së dhe me disa synime, duke përfshirë përcaktimin e kufijve të njohur ndërkombëtare” midis Rusisë dhe Ukrainës.

Guterres theksoi se lufta ka ndërprerë zinxhirët e furnizimit dhe ka rritur koston e transportit, duke kryer edhe më shumë presion mbi botën në zhvillim.

“Njerëzit e prekur nga kriza në mbarë botën nuk mund të paguajnë çmimin për këtë luftë. Larg përtej kufijve të Ukrainës, lufta ka çuar në rritje masive të çmimeve të ushqimit, energjisë dhe plehrave, sepse Rusia dhe Ukraina janë pikat kryesore të këtyre tregjeve. Për të gjithë këto arsye, çdo ditë është edhe më urgjente të heshtim armët”, tha Guterres.

Më 24 shkurt, Rusia nisi një luftë kundër Ukrainës, e cila është përballur me zemërim ndërkombëtar, me Bashkimin Evropian (BE), SHBA-në dhe Mbretërinë e Bashkuar, ndër të tjera, që po zbatojnë sanksione të ashpra ndaj Moskës.

Sipas vlerësimeve të Kombeve të Bashkuara (OKB), të paktën 1.480 civilë janë vrarë dhe rreth 2.200 të tjerë janë plagosur që nga fillimi i luftës në Ukrainë, megjithatë shifra e vërtetë dyshohet se është shumë më e lartë.

Agjencia e OKB-së për Refugjatë (UNHCR) njofton se mbi 4.2 milionë ukrainasë po ashtu kanë ikur në vendet fqinje, ndërkohë rreth 7 milionë të tjerë janë zhvendosur brenda vendit. /aa