Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, paralajmëroi sot se, ndonëse zia e bukës në Rripin e Gazës është shmangur, situata humanitare mbetet jashtëzakonisht e brishtë, me më shumë se 75 për qind të popullsisë që përballet me pasiguri akute ushqimore dhe rreziqe kritike të kequshqyerjes, trasnemton Anadolu.
“Zia e bukës është shtyrë mbrapa. Shumë më tepër njerëz janë në gjendje të kenë qasje në ushqimin që u nevojitet për të mbijetuar”, tha Guterres në një konferencë për shtyp në selinë e OKB-së në Nju Jork. “Arritjet janë të brishta, jashtëzakonisht të rrezikuara”, shtoi ai.
Ai tha se 1,6 milion njerëz në Gaza, më shumë se 75 për qind e popullsisë, pritet të përballen me “nivele ekstreme të pasigurisë akute ushqimore dhe rreziqe kritike të kequshqyerjes”.
Guterres përsëriti gjithashtu thirrjet për një “armëpushim të qëndrueshëm”, duke theksuar: “Na duhen më shumë pika kalimi, heqje e kufizimeve për artikujt kritikë, eliminim i burokracive, rrugë të sigurta brenda Gazës, financim i qëndrueshëm dhe qasje e papenguar, përfshirë edhe për OJQ-të”.
Klasifikimi i Integruar i Fazave të Sigurisë Ushqimore (IPC) publikoi sot gjetjet e tij të reja, duke vënë në dukje se kushtet e urisë në enklavë janë zbutur përkohësisht pas uljes së luftimeve dhe përmirësimit të qasjes për dërgesat humanitare dhe tregtare të ushqimit. Megjithatë, raporti i fundit paralajmëroi se situata e përgjithshme në Gaza mbetet kritike.
Kreu i OKB-së foli gjithashtu mbi refuzimin e Izraelit për të kaluar në fazën e dytë të planit të armëpushimit në Gaza deri në kthimin e eshtrave të pengut të fundit të vdekur.
“Është thelbësore të kalohet në fazën e dytë dhe nuk mendoj se duhet të ketë ndonjë pretekst për ta shmangur këtë”, tha Guterres.
“Është shumë e rëndësishme të ecet përpara me procesin e paqes në tërësi. Dhe nuk bëhet fjalë vetëm për fazën e dytë; por për të siguruar që faza e parë, dhe veçanërisht armëpushimi, të zbatohen plotësisht”, shtoi ai.
– Vendimi i GJND-së për Bregun Perëndimor të pushtuar “duhet të zbatohet”
Duke folur për situatën në Bregun Perëndimor, Guterres paralajmëroi se “nuk mund ta humbasim nga vëmendja përkeqësimin e shpejtë të situatës” në territorin palestinez të pushtuar nga Izraeli.
Ai theksoi se palestinezët po përballen me “dhunë në rritje nga kolonët izraelitë, konfiskime tokash, prishje banesash dhe kufizime të shtuara të lëvizjes”.
“Dhjetëra mijëra persona janë zhvendosur pas operacioneve të forcave izraelite në veriun e Bregut Perëndimor”, shtoi ai.
Guterres theksoi se masat e përkohshme të treguara nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë (GJND) janë “detyrueshme dhe duhet të zbatohen”.

