Shefi i ushtrisë së Izraelit, Eyal Zamir paralajmëroi se ushtria mund të përballet me kolaps të brendshëm nëse qeveria nuk arrin të adresojë mungesën në rritje të fuqisë punëtore, transmeton Anadolu.
Duke folur gjatë një takimi të kabinetit të sigurisë të mërkurën, shefi i Shtabit, gjeneral lejtnant Zamir tha se “Po ngre 10 flamuj të kuq përpara se IDF të shembet në vetvete”, sipas “The Jerusalem Post”.
Burime ushtarake shprehën “shqetësim të jashtëzakonshëm” për mungesën, veçanërisht në mes të luftës së vazhdueshme, duke vënë në dukje se edhe në kohë paqeje, do të kërkoheshin më shumë trupa në fronte të shumta, përfshirë Gazën, Libanin, Sirinë dhe Bregun Perëndimor.
Zyrtarët paralajmëruan se pa personel shtesë “do të ketë vende me boshllëqe të mëdha” në mbulimin operacional. Mungesa i është atribuar pjesërisht mungesës së legjislacionit që zgjeron ndjeshëm rekrutimin midis popullsisë haredi (ultra-ortodokse).
Një projektligj i propozuar që synon rritjen e rekrutimit haredi u la mënjanë nga kryeministri Benjamin Netanyahu për unitet gjatë luftës. Figurat e opozitës kritikuan ashpër qeverinë pas vërejtjeve të shefit të ushtrisë, duke paralajmëruar për rreziqe më të gjera të sigurisë.
Anëtarët e Partisë “Yesh Atid” e përshkruan përpjekjen e bllokuar të rekrutimit ushtarak si “një rrezik sigurie”, duke shtuar se “nuk është më e mundur ta injorosh këtë”. Lideri i opozitës, Yair Lapid ka deklaruar se “Në katastrofën e ardhshme, qeveria nuk do të jetë në gjendje të thotë ‘Nuk e dinim'”.
Lideri i partisë “Yisrael Beytenu”, Avigdor Liberman bëri thirrje për rekrutim të përgjithshëm ushtarak ndërsa ish-kryeministri Naftali Bennett pyeti: “Çfarë po prisni, për hir të Zotit?”.
Ish-shefi ushtarak Gadi Eisenkot tha se shërbimi i detyrueshëm për të gjithë “është nevoja e momentit” ndërsa figura të tjera politike paralajmëruan se mbështetja te rezervistët po arrin nivele të paqëndrueshme.




