Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, tha se administrata e SHBA-së nuk duhet të ndërhyjë në proceset demokratike evropiane, duke kundërshtuar Strategjinë e fundit të Sigurisë Kombëtare të Washingtonit dhe kritikat e tij ndaj BE-së, raporton Anadolu.
Duke folur në ngjarjen gala “POLITICO 28” në Bruksel të enjten, von der Leyen theksoi se vendimet për udhëheqjen dhe zgjedhjet në Evropë i takojnë vetëm votuesve.
“Nuk na takon ne, kur bëhet fjalë për zgjedhjet, të vendosim kush do të jetë udhëheqësi i vendit, por popullit të këtij vendi”, tha ajo, duke shtuar se “sovraniteti i votuesve … duhet të mbrohet”.
“Nuk duhet të ndërhyjë askush tjetër, pa asnjë diskutim”, shtoi ajo, duke iu përgjigjur pyetjeve rreth strategjisë amerikane të publikuar javën e kaluar, e cila ka shkaktuar shqetësim në Evropë.
Von der Leyen tha se këto shqetësime nënvizojnë nevojën e BE-së për një “Mbrojtje të Demokracisë”, e cila synon të forcojë mbrojtjen kundër ndërhyrjeve të huaja, veçanërisht onlajn dhe gjatë zgjedhjeve.
Duke theksuar angazhimin e saj të gjatë ndaj lidhjeve transatlantike, ajo shtoi se Evropa duhet të fokusohet tek fuqitë dhe uniteti i saj.
“Nga zemra ime, jam një transatlantiste e bindur”, tha ajo, duke shtuar se Evropa duhet “të ndihet krenare që është Bashkimi Evropian” dhe të mbrojë një bllok të unifikuar.
Komentet e saj pasuan kritikat e fundit të Trumpit ndaj Evropës në një intervistë, në të cilën ai e përshkroi kontinentin si “në kalbje” dhe të udhëhequr nga udhëheqës “të dobët”, duke thënë se Evropa “nuk di çfarë të bëjë”.








