Kryetari i partisë Mundësia në Shqipëri, Agron Shehaj, ka thënë se protesta, siç e ka quajtur ai, e jashtëzakonshme, do të përfundojë me dorëheqje të kryeministrit Edi Rama dhe zgjedhje të parakohshme.
Ai është shprehur i bindur që Rama do të detyrohet të japë dorëheqje dhe ka thënë se thënë se sondazhet tregojnë që mbi 70 për qind e shqiptarëve duna që Rama të japë dorëheqje.
“Mund të duhen një muaj, dy muaj, tre muaj, ndryshimi nuk vjen brenda ditës, ndryshimi do punë, do këmbëngulje”, ka theksuar Shehaj në një intervistë në emisionin “Interaktiv” në KTV.
Sipas tij është protesta në Shqipëri është një revoltë kundër gjithë sistemit dhe kastës politike dhe jo vetëm kundër Ramës.
“Nuk kemi të bëjmë me protesta të thjesht, kemi të bëjmë më një revoltë popullore. Qytetarë, punëtorë të ndershëm, intelektualë, shtresa e mesme, sipërmarrës të vegjël janë përditë në shesh sepse duan jo vetëm që Edi Rama të largohet, sepse ata mendojnë që i ka vjedhur sepse është një kryeministër i korruptuar, por ata duam largimin e kësaj kaste politike, kjo është një revolë kundër të gjithë sistemit dhe jo vetëm kundër kryeministrit”, është shprehur Shehaj.
Megjithëkëtë ai ka thënë se nuk beson që ekzistojnë kushtet për një qeveri teknike të pavarur nga Rama në periudhën pas dorëheqjes së Ramës dhe zgjedhjeve të parakohshme e as mundësia për zgjedhje të lira e të ndershme.
“Do të vijë një ditë që do të ketë zgjedhje, zgjedhjet e parakohshme janë përfundimi i gjithë kësaj që po ndodh, mund të ketë një qeveri teknike midis dorëheqjes së Edi Ramës dhe zgjedhjeve të parakohshme … Në Shqipëri në këto kushte nuk mund të ketë zgjedhje të lira dhe të ndershme, por cila është zgjidhja ndërkohë që kemi një Parlament që është i kontrolluar nga Edi Rama, nëse dikush me tregon se si në këto kushte mund të bëhet një qeveri teknike e pavarur nga Edi Rama të marrë votëbesimin në Parlamentin e kontrolluar nga Rama unë do të isha i lumtur, kjo është vështirë të realizohet fatkeqësisht”, ka deklaruar Shejaj.
Të enjten është mbajtur protesta e 26-të me radhë në Tiranë. Revolta në Tiranë ka nisur fillimisht kundër projekteve në Zvërnec e më vonë u përqendrua te kërkesa e dorëheqjes së Ramës.
Parullat kryesore që bartin protestuesit janë “Rama jep dorëheqjen” dhe “Rama n’burg, Berisha n’burg”.
Rama, u është përgjigjur protestuesve me sulme, sharje e etiketime. Ai dhe vartësit e tij në vazhdimësi kanë pretenduar se protestat janë të nxitura nga faktorë të jashtëm, duke drejtuar gishtin herë nga Irani, herë nga Greqia e herë nga Serbia.
Rama ka thënë se edhe Vetëvendosje është e përfshirë në protestat që kanë marrë jehonë të madhe në mediat e botës.
Por organizatorë të protestave që janë duke u mbajtur çdo mbrëmje prej orës 19:00, rrallë janë marrë me sulmet e sharjet e Ramës.
Pesë kushtet e protestuesve
“1. Dorëheqjen e panegociueshme të Kryeministrit dhe të qeverisë. 2. Krijimin e një qeverie teknike tranzitore, jopartiake, me mandat 12-mujor. 3. Ndryshime Kushtetuese, ku të gjithë shtetasit shqiptarë të jenë të barabartë para ligjit, si dhe miratimin e saj me referendum popullor, duke përfshirë ndër të tjera: 4. Paralelisht, kërkojmë: Anulimin e ndryshimeve të bëra në ligjin për ‘Zonat e Mbrojtura’; Anulimin e ndryshimeve të bëra në ligjin për ‘Trashëgiminë kulturore’; Shfuqizimin e paketës ligjore të njohur si “Paketa e Maleve”; Shfuqizimin e statusit dhe të kuadrit ligjor për ‘Investimet Strategjike’ dhe 5. Kontrata e re sociale mes qytetarëve dhe shtetit do të përpilohet pas konsultimit me intelektualë, ekspertë teknikë dhe qytetarë apartiakë, të propozuar nga sheshi i protestës”.


