Ata janë kudo! Frymojnë kudo! Hiqen të mirë por janë shejtanë! Ata janë shumë, me shumë ngjyra, me shumë gjuhë, me shumë fytyra… nuk po flas për shejtanët që nuk shihen, por për shejtanë që shihen, shejtanë njerëz.
Nga këtu kuptohet pse i Dërguari i Allahut (Paqja qoftë mbi të) na ka nxitur të lexojmë suren Felek dhe Nas. Këto sure flasin për djajtë, por më shumë për djajtë njerëz. Këtu kuptohet edhe më shumë ajeti: “Kërkoj mbrojtje te Zoti i njerëzve…. (qoftë ai djall) prej xhindeve apo njerëzve”. Duke qenë se djajtë janë të shumtë, do flas vetëm për një kategori të tyre.
Një nga kategoritë më të liga të shejtanëve njerëz, një nga kategoritë më të zvenitura moralisht dhe një nga shkatarët e të gjitha fatkeqësive në familjet tona: ata janë “mohuesit e prindërve”.
Këta djaj që lëvizin në mesin tonë, ecin me ne, ndoshta ushqehen me ne, kanë harruar kumtimin e qartë kuranor: Zoti yt ka urdhëruar, që të mos adhuroni askënd tjetër përveç Atij dhe, që të silleni mirë me prindërit. Nëse njëri prej tyre ose të dy arrijnë pleqërinë te ti, mos u thuaj atyre as “uh!”, mos i kundërshto, por drejtoju atyre me fjalë respekti. Lësho para tyre krahët e përuljes prej mëshirës dhe thuaj: “O Zoti im, mëshiroji ata, ashtu siç më kanë rritur, kur unë isha i vogël!” Kanë harruar fjalën e të Dërguarit të Allahut: “Mëkatet e mëdha janë: Idhujtaria, keqtrajtimi i prindërve…”. Kanë harruar ligjin e Allahut në tokë, se kush sillet keq me prindërit, të jetë i sigurtë se fëmija i tij do të sillet dyfish keq me të…
Këta djaj mund t`i ndash në dy kategori: mohues/e kur prindi është gjallë dhe mohues/e pasi prindi ndërron jetë.
Përsa i përket atyre që mohojnë prindërit kur janë gjallë, dije –Allahu të udhëzoftë nga e mbara- se vendin e babait dhe nënës nuk e zëvendëson askush. O ti shejtan/shejtane që mohon babanë tënd, e poshtëron atë, e nënçmon, e tall, nuk i bindesh, dije se je mohues i tij dhe nëse mohon babanë nuk do gjesh rehati as në këtë botë dhe as në botën tjetër.
I Dërguari i Allahut (Paqja qoftë mbi të) ka thënë: “Babai është porta kryesore e Xheneti”. O ti shejtan/shejtane që mohon nënën! A nuk e di se i Dërguari i Allahut (Paqja qoftë mbi të) i ka dhënë përparësi asaj ndaj çdokujt tjetër? A nuk e di se e meriton tre herë më shumë përkujdesjen se çdo kush tjetër! A nuk e di se nuk ka mëkat më madh pas mohimit të Allahut, sesa mohimi i nënës?! A nuk e di se bamirësia ndaj saj është shkak për faljen e të gjitha mëkateve? A nuk e di se Xheneti është poshtë këmbëve të saj? Kthehu o shejtan/shejtane dhe pendohu! Nëse ia ke thyer zemrën nënës dije se nuk do të të bëjë dobi asnjë punë e mirë, as namazi, as agjërimi, as sadakaja as….. O ti shejtan/shejtane! Nëse prindërit janë ndarë, mos e humb babanë dhe as nënën.
O ti shejtan/e që i thua burrit të nënës baba, ndërsa babanë e vërtetë e mohon! O ti shejtan/e që i thua gruas së babait nënë, ndërsa nënën e vërtetë e mohon! Dije se nëse nuk pendohesh, nuk i bie babait të vërtetë dhe nënës së vërtetë nën këmbë duke i kërkuar falje, nuk ke shpëtim. Nuk ke shpëtim në këtë botë dhe as në botën tjetër. Ti do të jesh i nënçmuar, poshtëruar dhe i urryer nga Allahu, engjëjt dhe të gjithë njerëzit. Pendohu në këtë botë që të shpëtosh, pendohu para se të vijë një ditë ku nuk bën dobi pendimi dhe kthehu tek babai dhe nëna i vërtetë…
Përsa i përket atyre që mohojnë prindërit pasi kanë ndërruar jetë, kanë mbledhur dy ligësi: ligësinë e mohimit dhe tradhëtimit. O ti shejtan/shejtane! Mos e moho babanë dhe nënën që ke në varr! A nuk e di ti more shejtan/shejtane se prindërve në varr u shkon informacioni për çka veprojnë fëmijët e tyre. A nuk e ke dëgjuar lutjen: ‘O Allah! Mos u përcjell prindërve tanë ato lajme prej nesh që i pikëllojnë, as prej mëkatet tona, ato që i nguflojnë, mos i poshtëro prindërit tanë në mesin e të vdekurve për shkakun e mëkateve dhe ligësive që bëjmë”. O shejtan/shejtane! Nëse prindi ka bërë diçka jo të mirë dhe ti ia zbulon pasi ka ndërruar jetë, dije se je i shkatërruar, do të demaskojë Allahu në shtëpinë tënde dhe do të vuash pasojat më të frikshme. Nëse mohon atë të mirë që prindi ia ka bërë dikujt, nëse i mohon atë gjë që prindi ia ka dhënë dikujt, dije – dije se je shejtan/e i dyfisht, shejtan/e mohes/e dhe tradhëtar/e. A nuk e di hadithin e të Dërguarit të Allahut (Paqja qoftë mbi të) i cili thotë: “Kushdo që tradhëton, në ditën e Gjykimit do t`i ngulet një flamur në fund të kurrizit dhe do të thuhet: “Ky është tradhëtari……”.
Dije se nga emrat e bukur të Allahut është Ed`Dejan. Ky emër është fisnik dhe ka shumë kuptime si: Shpërblyesi i së mirës dhe së keqes, Gjykatësi, Llogarikërkuesi… Ngadhënjimtari..Hakmarrësi.
Në të gjitha rastet, ai/ajo që është shejtan/e mohues/e apo tradhëtar/e i prindërve të tij, të mos e harrojë kurrë këtë fjalë të të Dërguarit të Allahut: “E mira nuk humbet, mëkati nuk harrohet, Ed`Dejan është i Gjallë dhe nuk vdes kurrë! O njeri! Bëj çfarë të duash, si do bësh do të gjesh”.
Ky është ligji i Allahut! Çfarë do bësh do ta pësosh!
Nga: Rushit Abedin Musallari








