I riu mysliman diplomohet me nderime dhe frymëzon një model të ri edukimi në SHBA
Akif Ali, një 20-vjeçar nga Virxhinia, sapo është diplomuar me nderime të klasit të parë në Neuroshkencë dhe Fizikë nga Universiteti “George Mason”. Arritja e tij është bërë virale jo vetëm për moshën e re, por për rrugëtimin e tij të pazakontë: ai e ka përfunduar të gjithë arsimin parauniversitar përmes shkollimit në shtëpi (homeschooling).
Sipas Akifit, ky sistem “fleksibël” e lejoi të përparonte me ritmin e tij dhe të zhvillonte një vetëdisiplinë të lartë. Ai ia atribuon suksesin e tij akademik dhe këmbënguljen përballë temave të vështira, procesit të mësimit përmendësh të Kuranit në Qendrën Diyanet po në SHBA.
Përvojat e tij sfidojnë paragjykimet se shkollimi në shtëpi pengon socializimin. “Në fillim e besova, por pasi nisa universitetin, kuptova se kjo mënyrë më dha avantazh në vetëmotivim”- shprehet ai. Ky model suksesi është kthyer në një traditë familjare. Vëllezërit dhe motrat e tij më të vegjël, Fatima (18 vjeç) dhe Affan (16 vjeç), po ndjekin të njëjtën rrugë, duke qenë tashmë studentë universiteti në mjekësi.
Fatima tregon se sistemi u lejon të përparojnë sipas aftësive dhe jo sipas moshës, duke shmangur njëkohësisht presionet negative shoqërore të shkollave tradicionale. Rasti i familjes Ali përkon me një tendencë në rritje në SHBA, ku pas vitit 2020, më shumë se 5 për qind e fëmijëve po arsimohen nga shtëpia.
Prindërit e Akifit, Asnës dhe Kazamit, theksojnë se synimi i tyre ishte krijimi i një mjedisi të sigurt dhe të bazuar te vlerat. Për të mbështetur të tjerët, ata kanë themeluar “Homeschool Army” dhe Akademinë HIRA, një platformë online që edukon studentë nga mbarë bota.
Për përpjekjet e saj, nëna e Akifit u nominua si mësuese e dalluar nga Shoqata Kombëtare e Nxënësve të Shkollave të Mesme në SHBA, duke vërtetuar se edukimi në shtëpi mund të prodhojë individë të gjithanshëm dhe elokuentë, të gatshëm për t’u përballur me sfidat e shkencës. /tesheshi





