Shëndeti i Trump, flet ish-doktori i Presidentit: Raportin mjekësor e diktoi vetë ai

Shëndeti i Donald Trump rikthehet në qendër të polemikave. Ish-doktori i tij ka deklaruar se një raport mjekësor i vitit 2015, në kohën kur Trump kandidonte për presidencën, nuk ishte shkruar nga mjeku, por ishte diktuar nga vetë presidenti. Në atë raport shkruhej se Trump gëzonte shëndet “perfekt”.

Ish-mjeku i Donald Trump ka pohuar se një letër që deklaronte “shëndetin e shkëlqyer” të kandidatit të atëhershëm presidencial, është diktuar nga presidenti.

“Ai e ka diktuar të gjithë atë letër. Nuk e shkrova unë,” zbuloi Harold Bornstein në një intervistë për rrjetin CNN.

Doktori gjithashtu rrëfeu se truproja e Trump kishte kryer një “bastisje” në zyrat e tij në shkurt 2017, duke hequr të gjitha të dhënat mjekësore të presidentit.

Sipas Bornstein, arsyeja për këtë bastisje ishin provat për një ilaç për rritjen e flokëve që ai i kishte dhënë Trump.

Nuk është ende e qartë përse doktori i ngriti këto pretendime në këtë moment dhe nuk ka ende një koment nga Shtëpia e Bardhë.

Letra e publikuar nga fushata Trump në vitin 2015 pretendonte se republikani do të ishte “individi më i shëndetshëm që do të zgjidhej ndonjëherë për presidencën.”

Sipas letrës, tensioni i gjakut dhe testet laboratorike të Trump përshkruheshin si “befasisht të shkëlqyera” dhe republikani thuhej se kishte humbur 7 kg brenda një viti.

Në letër gjithashtu thuhej se Trump nuk kishte ndonjë lloj kanceri apo nuk kishte kryer operacion në artikulacione.

Pak javë përpara publikimit të letrës, Trump deklaronte se raporti mjekësor i doktor Bornstein do të dëshmonte “perfeksion”.

“Jam me fat që jam bekuar me gjene të shkëlqyera,” shkruante Trump asokohe në llogarinë e tij në Facebook.

Kujtojmë se në janar të këtij viti, Presidenti iu nënshtrua një ekzaminimi mjekësor 3-orësh, pas spekulimeve të ngritura mbi shëndetin e tij mendor.

Doktori i Shtëpisë së Bardhë, Ronny Jackson, deklaroi se ai nuk kishte asnjë shqetësim në lidhje me aftësitë njohëse ose funksionet neurologjike të shefit të Uashingtonit.

Donald Trump u bë Presidenti më i vjetër i zgjedhur në historinë e Shteteve të Bashkuara.