Shirat e dendur vrasin të paktën 10 persona në Gaza në 24 orët e fundit, thotë OBSH

Të paktën 10 persona kanë humbur jetën në Gaza gjatë 24 orëve të fundit si pasojë e shirave të dendur, ka njoftuar Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH). Kreu i OBSH-së, Tedros Adhanom Ghebreyesus, paralajmëroi se mijëra familje palestineze të zhvendosura po strehohen në tenda pa mbrojtje të mjaftueshme nga kushtet e ashpra dimërore.

Sipas tij, mungesa e ujit të pastër, higjienës dhe mbipopullimi rrisin rrezikun për përhapjen e infeksioneve respiratore, hepatitit dhe sëmundjeve diarreike. OBSH theksoi se vazhdon të përballet me pengesa në dërgimin e pajisjeve diagnostikuese dhe materialeve laboratorike në Gaza, pasi disa prej tyre janë ndaluar si “përdorim i dyfishtë”.

Tedros bëri thirrje për lejimin urgjent të këtyre materialeve thelbësore, duke theksuar se ato janë jetike për zbulimin dhe trajtimin në kohë të shpërthimeve të sëmundjeve. /mesazhi