Shkrirja e akullnajave rrezikon të zgjojë qindra vullkanë

Shkrirja e akullnajave mund të rizgjojë qindra vullkanë nga thellësitë e Tokës.

Sipas një studimi të fundit, kur akullnajat reduktohen si pasojë e ngrohjes globale, vullkanet kanë tendencë të shtuar të aktivizohen e të kenë shpërthime eksplozive dhe të shpeshta. Aktualisht, këto fenomene të lidhura ngushtë po verifikohen në Antarktidë, Amerikën e Veriut, Zelandë të Re dhe Rusi.

Studiuesit shpjegojnë se shtimi i aktivitetit të vullkaneve mund të ketë impakt të rëndësishëm mbi klimën. Shpërthimet e tyre zakonisht çlirojnë molekula të gazta që mund të ftohin përkohësisht planetin, sikurse ndodhi në vitin 1991 me shpërthimin e Pinatubo në Filipine, që reduktoi temperaturat globale me 0.5 gradë Celsius. Por në afatgjatë, këto shpërthime mund të ndikojnë në ngrohjen globale si pasojë e akumulimit të gazrave serrë, duke krijuar një rreth vicioz, i cili shkrin akullnajat, e këto të fundit ndezin shpërthimet vullkanike.

Duke iu referuar epokave të kaluara të planetit tonë, në fund të Epokës Akullnajore, nga 26–18 mijë vite më parë, shtresa e akullit favorizoi reduktimin e shpërthimeve dhe akumulimin e rezervave të magmës mes 10–15 km thellësi. Por kur, në fund të kësaj epoke, shtresat e ngrira u shkrinë me shpejtësi, korja e Tokës u ç’lodh dhe gazrat e magmës u çliruan, duke shkaktuar shpërthime të shpeshta e të fuqishme.