Shkup, përshkallëzohet protesta kundër propozimit francez

Protesta e qytetarëve që kërkojnë refuzimin e propozimit francez për zgjidhjen e mosmarrëveshjes midis Shkupit dhe Sofjes, që po bllokon fillimin e negociatave të Maqedonisë së Veriut me Bashkimin e Evropian (BE), ka vazhduar në ditën e katërt radhazi, raporton Anadolu Agency (AA).

Demonstruesit e filluan protestën para qeverisë së Maqedonisë së Veriut, ku hodhën shishe dhe sende të tjera në drejtim të policisë dhe ndërtesës së qeverisë. Më pas, ata vazhduan drejt Ministrisë së Punëve të Jashtme, ku pakënaqësinë e tyre e treguan duke hedhur vezë drejt ndërtesës së ministrisë.

Nga aty, demonstruesit u drejtuan drejt Shtëpisë ligjvënësve, ku hidhnin shishe, sende të forta, gurë dhe tulla, si dhe përdornin mjete piroteknike. Më pas, protestuesit kaluan gardhin dhe u përplasën me forcat policore, si pasojë disa policë u plagosën, ndërkohë ndërhyri edhe ambulanca. Forcat policore arrestuan disa prej protestuesve.

Situata është vënë kontroll, ndërsa protestuesit thanë se do të vazhdojnë protestat e tyre edhe në ditët në vijim.

Presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel, sot qëndroi për një vizitë në Shkup, ku zhvilloi takime me presidentin Stevo Pendarovski, kryeparlamentarin Talat Xhaferi dhe kryeministrin Dimitar Kovaçevski. Në konferencën e përbashkët me kryeministrin, Michel deklaroi se “nëse thoni po, (për propozimin francez) konferenca e parë ndërqeveritare (me BE-në) do të organizohet në ditët në vijim dhe do të zbatohet vendimi i marsit të vitit 2020 dhe hapat e ardhshme do të pasojnë menjëherë”.

Lideri i opozitës maqedonase VMRO-DPMNE, Hristijan Micskoski, i cili mbështet protestat kundër propozimit francez, ditët e kaluar ka theksuar se ky propozim për zgjidhjen e kontestit me Bullgarinë është i njëjti me atë të mëparshëm. Sipas tij, ai përmban “të gjitha kërkesat bullgare në aspektin e gjuhës, historisë dhe identitetit”.

Më 30 qershor, qeveria e Maqedonisë së Veriut pranoi një propozim të modifikuar nga presidenca franceze, pas së cilës filloi një proces konsultativ, fillimisht me qeverinë dhe partnerët e koalicionit dhe më pas me presidentin, parlamentin, opozitën, si dhe me sektorin civil.

Kryeministri Kovaçevski deklaroi se propozimi i modifikuar përfshin vërejtjet dhe qëndrimin e konstruktuara qartë të palës maqedonase, parasheh një pranim të qartë të gjuhës maqedonase, si dhe faktin se protokolli me Bullgarinë nuk do të jetë pjesë e kornizës së negociatave.

Presidenti francez, Emmanuel Macron, presidenca e të cilit e hartoi propozimin, beson se është gjetur një zgjidhje kompromisi me propozimin për të dyja palët.

Propozimi francez është një dokument që duhet të çojë në heqjen e vetos 2-vjeçare të Bullgarisë për integrimin e Maqedonisë së Veriut në BE.