Të paktën katër persona u lënduan pasditen e së enjtes pasi një zjarr i madh shpërtheu në një ndërtesë banimi në qendër të Utrechtit, në Holandë, pas raportimeve për disa shpërthime, njoftoi transmetuesi publik NOS.
Rajoni i Sigurisë i Utrechtit e përshkroi incidentin si një “shpërthim gjigant”, duke konfirmuar se katër persona janë lënduar, transmeton Anadolu.
Shërbimet emergjente kanë marrë disa raportime për shpërthime rreth orës 15:30 sipas kohës lokale dhe kanë reaguar menjëherë, ndërsa në rrugët përreth është vendosur perimetër sigurie.
Autoritetet ende nuk e kanë përcaktuar shkakun e shpërthimeve.
Zjarri më vonë u përhap në një furrë buke në afërsi rreth orës 17:00, ndërsa zjarrfikësit vazhdojnë përpjekjet për ta shuar.
“Të gjitha përpjekjet janë përqendruar në verifikimin nëse ka persona të bllokuar nën rrënoja”, tha kryetarja e bashkisë së Utrechtit, Sharon Dijksma.
Shumë ndërtesa përreth kanë pësuar dëmtime, megjithëse numri i saktë ende nuk dihet.
Rreth 50 banorë janë evakuuar dhe janë strehuar në një hotel në afërsi, ndërsa autoritetet paralajmërojnë se mund të kalojë një kohë e gjatë para se ata të mund të kthehen në shtëpitë e tyre.
Në qendër të qytetit Utrecht është ngritur një spital i përkohshëm emergjent, i cili zakonisht përdoret për incidente me numër të madh të të lënduarve.
Dëshmitarët okularë e përshkruan skenën si “kaotike”. Patrick Tomassen, i cili po punonte në një parking aty pranë, tha për RTV Utrecht: “Dëgjuam një shpërthim shumë të fortë. Parkingu u drodh me forcë. Dolëm me vrap jashtë dhe pamë njerëz të mbuluar me gjak, fasada ndërtesash të dëmtuara dhe xhama të thyer”.


