Shpërthime tronditin Karakasin, Venezuela akuzon SHBA-në për “agresion ushtarak”

Shpërthime të fuqishme janë dëgjuar dhe shtëllunga të mëdha tymi janë parë duke u ngritur në kryeqytetin e Venezuelës, Karakas, mes përshkallëzimit të tensioneve me Shtetet e Bashkuara, raportoi Al Jazeera.

Sipas korrespondentes së Al Jazeera-s, Lucia Newman, pamje video të siguruara herët të shtunën tregojnë topa zjarri dhe tym të dendur që ngrihen nga një strukturë pranë një zone ujore në Karakas. Shpërthimi ka ndodhur në afërsi të Fortunës, baza kryesore ushtarake në kryeqytet.

Qeveria e Venezuelës ka reaguar ashpër, duke e cilësuar ngjarjen si “agresion ushtarak” nga ana e Shteteve të Bashkuara. Në një deklaratë zyrtare, autoritetet në Karakas thanë se sulmet kanë shënjestruar objekte civile dhe ushtarake jo vetëm në kryeqytet, por edhe në shtetet Miranda, Aragua dhe La Guaira.

Sipas qeverisë venezueliane, Uashingtoni po përpiqet të destabilizojë vendin me qëllim për të marrë kontrollin e burimeve të tij të naftës dhe mineraleve. “Këto përpjekje nuk do të kenë sukses,” thuhet në deklaratë.

Presidenti Nicolas Maduro ka shpallur gjendje të jashtëzakonshme kombëtare, ndërsa autoritetet kanë njoftuar se janë duke u marrë masa të rrepta sigurie dhe hetime për të sqaruar rrethanat e sulmeve. /mesazhi