Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Shqipëri, disa vatra zjarri ende aktive

Shqipëri, disa vatra zjarri ende aktive

Në Shqipëri vazhdojnë të mbeten aktive disa vatra zjarri, ndërkohë që autoritetet vazhdojnë operacionet për shuarjen e tyre, transmeton Anadolu.

Gjatë natës dhe në orët e fundit situata është paraqitur më problematike në Fier dhe Himarë, ku zjarret shkaktuan dëme edhe në disa banesa, ndërsa autoritetet urdhëruan evakuimin e disa familjeve.

Në një reagim në rrjetet sociale, ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi, ka deklaruar se në Himarë gjatë natës së kaluar Forcat e Armatosura të Shqipërisë vijuan angazhimin në terren për menaxhimin e situatës së krijuar nga zjarri.

“171 efektivë, 10 mjete në terren, 1 mjet zjarrfikës dhe 1 ambulancë nga Forcat e Armatosura ishin në gatishmëri dhe pranë komunitetit, në përballimin e situatës dhe mbrojtjen e jetës dhe pronës”, ka shkruar Nufi.

Ndërkohë, raportohet se në Himarë situata është përmirësuar dhe zjarri është vënë nën kontroll dhe po punohet për shuarjen e vatrave të mbetura aktive, edhe me ndërhyrje nga ajri.

Në javët e fundit Shqipëria është përfshirë nga zjarret që kanë shkaktuar dëme në pyje dhe zona të tjera. Sipas autoriteteve shqiptare, në orët e fundit vazhdojnë të jenë aktive disa vatra zjarri, ndërsa disa të tjera po mbahen nën monitorim.