Shqipëri, hapet panairi i librit për fëmijë dhe të rinj

Në Shqipëri është hapur panairi i librit për fëmijë dhe të rinj 2021, cili ka mbledhur së bashku disa shtëpi botuese nga Shqipëria dhe Kosova, raporton Anadolu Agency (AA).

Në edicionin e parë të panairit që mbahet në datat 24-27 qershor dhe i cili synon të shndërrohet në traditë do të marrin pjesë shtëpitë botuese shqiptare të cilat kanë investuar në botimin e librave për fëmijë.

E pranishme në ceremoninë e hapjes së panairit në Sheshin Rekreativ të Pazarit të Ri në Tiranë ishte edhe ministrja e Kulturës e Shqipërisë, Elva Margariti, e cila në fjalën e saj tha se është “shumë e surprizuar për gjithë larmirshmërinë e titujve dhe të tematikave të trajtuara në këtë panair”.

“Patjetër që nisma të tilla duhet të vazhdojmë t’i mbështesim dhe t’i kthejmë në traditë. Ne jo më larg se tre vite më parë e rikthyem fondin për letërsinë për fëmijë dhe jam vërtetë krenare që në fakt tashmë e ka marrë mbështetjen e vazhdueshme dhe do të vazhdojë të qëndrojë si traditë. Dhe kjo është patjetër një iniciativë që duhet të qëndrojë për mendimin tim në nismat që kthehen në traditë. Një bashkëpunim shumë i mirë, atë çfarë them gjithmonë që libri na bashkon të gjithëve bashkë”, tha Margariti.

Duke folur rreth organizimit të këtij panairi dhe botimeve që janë pjesë e tij, ministrja Margariti tha se “Është një punë jo vetëm kolosale, por një punë e detajuar, e bërë më shumë dashuri, por edhe me shumë profesionalizëm”.

Ky panair organizohet nga Qendra e Librit për Fëmijë me mbështetjen e Bashkisë së Tiranës dhe është i dedikuar për botimet për fëmijët dhe të rinjtë.

Gjatë ditëve të panairit do të ketë edhe takime të shkrimtarëve dhe përkthyesve me lexuesit, që do të organizon prej disa shtëpive botuese që veprojnë në këtë fushë. /aa