Në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar (GJKKO), është mbajtur seanca e radhës gjyqësore ndaj ish-presidentit të Shqipërisë, Ilir Meta, i cili ndodhet në paraburgim, raporton Anadolu.
GJKKO-ja vendosi në seancën e sotme rrëzimin e kërkesës së ish-presidentit Meta për zëvendësimin e masës së sigurisë, duke lënë në fuqi masën “arrest në burg”.
Procesi gjyqësor në themel për këtë çështje filloi më 27 prill, ndërkohë në seancën e sotme i pranishëm ishte edhe Meta.
Seanca e radhës pritet të konfirmohet në vazhdim nga GJKKO-ja.
Gjykatat në Shqipëri kanë refuzuar edhe në seancat e kaluara kërkesat e ish-presidentit Meta për lirim nga paraburgimi.
– Çështja ndaj ish-presidentit Meta
Ish-presidenti Meta është arrestuar më 21 tetor 2024, i dyshuar për kryerjen e disa veprave penale në lidhje me çështjen që është e njohur si “Kontrata e shërbimit CEZ-DIA” dhe për “kontrata lobimi në SHBA”.
Aktualisht, Meta është në paraburgim. Sipas Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), Meta është i dyshuar për pastrim parash, korrupsion dhe mosdeklarim pasurish.
Meta, i cili aktualisht është kryetar i partisë opozitare, Partisë së Lirisë, ka mbajtur poste të larta në institucionet e shtetit shqiptar.





