Shqipëri, opozita organizon protestë

Në Shqipëri është organizuar një protestë me sloganin “Opozita e të drejtave të mohuara në aksion”, me thirrjen nga deputetët opozitarë nga Partia Demokratike e Shqipërisë dhe deputetë opozitarë jashtë grupeve parlamentare, raporton Anadolu.

Protesta është mbajtur para selisë së Kryesisë së Kuvendit të Shqipërisë në Tiranë, pranë Bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, gjatë kohës që Këshilli për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin i Kuvendit të Shqipërisë po mbante mbledhje për shqyrtimin e kërkesës së Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) për dhënien e autorizimit nga Kuvendi për arrestimin/heqjen e lirisë së ish-kryeministrit Sali Berisha.

Ndërkohë, pjesë e protestës e cila u organizua pas tensioneve të fundit në seancat parlamentare ishin deputetë të partive opozitare, si të Partisë Demokratike dhe Partisë Lirisë, përfaqësues të tjerë të partive opozitare, si dhe aktivistë dhe qindra qytetarë.

Disa deputetë të opozitës dhe përfaqësues të tjerë të partive opozitare kanë mbajtur fjalime në protestë, duke theksuar se “do të jenë gjithmonë gati për të mbrojtur vlerat euro-atlantike dhe votën”.

Me pankartat me mbishkrimet “Shqipërisë i dalim zot” dhe “Votës së lirë i dalim zot”, protestuesit dhe organizatorët e protestës kanë paralajmëruar se protestat e opozitës do të vazhdojnë.

Në fjalën e tij në protestë, ish-kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, i cili nga Kuvendi njihet si deputet jashtë grupeve parlamentare për shkak të përplasjeve të fundit në Partinë Demokratike, u shpreh se janë sot në protestë për idealet e lirisë.

“Jemi këtu për idealet e lirisë. Një thirrje kam për të rinjtë e këtij vendi: merrni përsipër misionin historik. Urdhëroni ju si luftëtarë lirie, t’i dalim zot sot Shqipërisë. Nuk është çështja e një individi, është çështja e çdo shqiptari”, tha Berisha, duke shtuar se mohohen të drejtat bazë kushtetuese të deputetëve në parlament.

Për mbarëvajtjen e protestës u angazhuan edhe dhjetëra forca policore, ndërkohë disa protestues hodhën tymuese, ndërsa nuk u shënuan përplasje.

Seancat e fundit plenare dhe të komisioneve parlamentare të Kuvendit të Shqipërisë janë përfshirë nga tensionet, pasi deputetët opozitarë kanë theksuar se “opozita është e vendosur që me këtë betejë në parlament të mbrojë me gjithë forcën të drejtat e saj kushtetuese”, pasi sipas tyre nuk respektohen të drejtat e tyre dhe nuk miratohen nismat dhe kërkesat e tyre.

Gjithashtu Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar Tiranë (SPAK) i ka kërkuar më 12 dhjetor Kuvendit të Shqipërisë dhënin e autorizimit për arrestimin/heqjen e lirisë ndaj ish-kryeministrit Sali Berisha, nëpërmjet zëvendësimit të masës së sigurisë.

Aktualisht ndaj ish-kryeministrit Berisha është në fuqi masa “detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore” dhe “ndalim i daljes jashtë shtetit”, i dyshuar për korrupsion, ndërkohë Berisha nuk u paraqit pranë prokurorisë sipas vendimit në fjalë dhe prokuroria kërkon autorizimin nga Kuvendi për ndryshimin e masës.

Pasi të përfundojë shqyrtimi në Këshillin për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin, kërkesa e SPAK-ut duhet të kalojë për votim në seancën e Kuvendit të Shqipërisë.