Shqipëri, vazhdojnë punimet për projektin e financuar nga Turqia për banesat

Ambasadori i Turqisë në Tiranë, Murat Ahmet Yörük, ka realizuar një vizitë në Bashkinë e Kurbinit, ku po zbatohet projekti i financuar nga Turqia për ndërtimin e banesave për familjet e prekura nga tërmeti i vitit të kaluar, i cili ka realizuar takime me zyrtarët vendorë dhe inspektoi punimet, raporton Anadolu Agency (AA).

Ambasadori turk fillimisht realizoi një takim me kryetaren e Bashkisë së Kurbinit, Majlinda Cara, duke diskutuar mbi ecurinë e projektit të banesave dhe bashkëpunimin në vazhdim në lidhje me këtë projekt që po realizohet në Njësinë Administrative Laç.

Pas takimit, Yörük dhe kryetarja e Bashkisë së Kurbinit vizituan kantierin, ku në muajin gusht filluan punimet e projektit të financuar nga Republika e Turqisë, për ndërtimin e 524 apartamenteve për familjet që u prekën nga tërmeti i nëntorit të vitit të kaluar.

Në një deklaratë për AA, ambasadori turk tha se për arsye të pandemisë ka pasur shmangie të kontakteve, por projekti do të vazhdojë dhe theksoi më tej se “Zonja kryetare na theksoi se deri tani nuk ka pas asnjë lloj problemi në lidhje me vazhdimësinë e punimeve, përkundrazi çdo gjë po ecën sipas projektit. Deri tani çdo gjë është sikurse është planifikuar. Gjithashtu i dhashë informacione zonjës kryetare në lidhje me këtë projekt i cili është bërë me udhëzimin e presidentit të Republikës së Turqisë (Recep Tayyip Erdoğan) dhe e informova për ecurinë e mëtejshme të projektit”.

“Mendojmë që brenda 3-4 javëve të fillojë faza e hedhjes së themelit. Synojmë që në fillim të vitit 2021 në muajt e parë të mbarojmë etapën e parë të këtij projekti. Me mbarimin e etapës së parë vëllezërit tanë shqipëtarë në Laç do të kenë shtëpitë e tyre dhe mund të rrinë të sigurt dhe të qetë në shtëpinë e re që do të marrin. Pastaj në vitin 2021 nga vera mendohet që të përfundojë etapa e dytë që është edhe etapa e fundit”, u shpreh ambasadori turk.

Ai tha se edhe pse ka pas një përudhë karantinimi në Shqipëri për arsye të pandemisë, ka vazhduar ecuria e këtij projekti.

“Pas tërmetit të muajit nëntor ne kemi filluar një proces bashkëpunimi me Bashkimin Evropian në aspektin e koordinimit të aktiviteteve të ndërtimit në mbarë Shqipërinë. Kryesimin e grupit punues rreth aktiviteteve të ndrëtimit gjithëpërfshirës që do të zhvillohen në mbarë Shqipërinë në periudhën e ardhshme e ka marrë përsipër Turqia. Nëpërmjet këtij grupi punues, koordinimin e punimeve do ta realizojmë së bashku me vendet anëtare të BE-së. Dua të theksoj se Turqia gjithmonë ka qëndruar pranë popullit mik dhe vëlla shqiptar. Do të vazhdojmë të mbetemi pranë edhe në ditë të mira edhe në ato të vështira”, tha ambasadori turk.

Kryetarja e Bashkisë së Kurbinit, Majlinda Cara, për AA tha se aktualisht janë në fazën e gërmimeve në kantierin e ndërtimit të banesave, dhuratë nga Qeveria e Turqisë.

“Nuk gjej fjalë të falënderoj popullin turk, Qeverinë turke dhe presidentin Erdoğan për mbështetjen që i dhanë popullit të Kurbinit, që i erdhi në ndihmë që në ditët e para të rënies së tërmetit si në mjete dhe logjistikë, si në ndihma humanitare, por dhe së fundi me këtë projekt madhor që i vjen në ndihmë Kurbinit dhe i kthen një lloj normaliteti banorëve të Kurbinit që humbën shtëpitë e tyre në tërmetin e datës 26 nëntor në tërmetin e tmerrshëm. Faleminderit me zemër në emër të popullit të Kurbinit dhe në emërim tim personal për gjithë mbështetjen e treguar ndaj këtij vendi të vogël siç është Kurbini”, tha Cara.

Servet Birgören, përfaqësuesi i kompanisë Albayrak që realizon punimet dhe drejtor i projektit të punimeve, tha se është vetë shteti turk i cili ka pasur më shumë probleme në lidhje me tërmetet dhe “ne i kuptojmë shumë mirë situatën e të prekurve të tërmetit në këtë shtet”.

Birgören theksoi më tej se: “Gjithashtu dua të falënderoj zonjën kryetare që na ndihmon shumë dhe për këtë dua ta falënderoj për ndihmën. Gjithashtu vetë popullin e Laçit për gjithë kontributin e tyre që japin. Jam shumë i kënaqur që punoj në këtë vend”.

Projekti në fjalë zhvillohet nga Autoriteti Shtetëror i Zhvillimit Strehimor të Turqisë (TOKI) me udhëzim të presidentit të Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan dhe parashikon ndërtimin e 524 apartamenteve për familjet që u prekën nga tërmeti i nëntorit të vitit 2019.

Tërmeti shkatërrimtar i 26 nëntorit të vitit të kaluar në Shqipëri shkaktoi dhjetëra viktima, plagosi qindra të tjerë, si dhe zhvendosi nga banesat e dëmtuara mijëra njerëz.