Autoritetet shqiptare kanë njoftuar se Shqipëria është pajisur zyrtarisht me sistemin raketor kundërtank “Javelin”, transmeton Anadolu.
Në një njoftim nga Ministria e Mbrojtjes e Shqipërisë thuhet se sistemi “Javelin” është një nga sistemet më të avancuara të mbrojtjes që përdoret nga vendet anëtare të NATO-s. Sipas njoftimit, ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu bëri të ditur se ardhja e këtij sistemi “është rezultat i bashkëpunimit të ngushtë me aleatin strategjik, Shtetet e Bashkuara të Amerikës”.
Sipas ministrit Vengu, pajisja e Forcave të Armatosura të Shqipërisë me sistemin “Javelin” përfaqëson një hap të rëndësishëm në rritjen e kapaciteteve mbrojtëse të vendit dhe në përmbushjen e objektivave të modernizimit të ushtrisë. “Ardhja e sistemeve ‘Javelin’, falë bashkëpunimit me aleatin tonë strategjik SHBA, forcon aftësitë mbrojtëse të Forcave të Armatosura Shqiptare, rrit parandalimin, ndërveprueshmërinë me NATO-n dhe sigurinë kombëtare”, është shprehur Vengu.
Në njoftim theksohet se sistemi “Javelin” konsiderohet një element kyç për mbrojtjen tokësore, duke rritur ndjeshëm sipas ministrisë aftësinë e Forcës Tokësore të Shqipërisë për të përballuar kërcënime të avancuara dhe për të vepruar në përputhje me standardet e Aleancës.
“Shqipëria e ka porositur sistemin ‘Javelin’ në kuadër të programeve të bashkëpunimit ushtarak me Shtetet e Bashkuara, përmes mekanizmave të shitjeve ushtarake të huaja (Foreign Military Sales – FMS). Ky investim është pjesë e strategjisë afatgjatë të modernizimit të Forcave të Armatosura, rritjes së parandalimit dhe përafrimit të plotë me kapacitetet dhe doktrinën e NATO-s”, thuhet në njoftim.
Gjithashtu theksohet se “Javelin” është një sistem raketor kundërtank i gjeneratës së fundit, i prodhuar nga SHBA-ja. “Sistemi është shumë efektiv kundër mjeteve të blinduara dhe përdoret gjerësisht nga ushtritë e NATO si dhe në operacione reale luftarake”, theksohet në njoftim.




