Shqiptarët të varfër, por shpenzojnë për veshje më shumë se evropianët

Ndonëse shqiptarët janë një nga popujt më të varfër të Evropës, ku të ardhurat janë sa 30 për qind e mesatares së Bashkimit Evropian, ata nuk kursejnë për t’u dukur.

Të dhënat krahasuese të INSTAT dhe Eurostat, lidhur me peshën e shpenzimeve sipas qëllimit të konsumit, tregojnë se konsumatorët shqiptarë shpenzojnë 4.9 për qind të totalit për veshje e këpucë, ndërsa edhe për evropianët kjo peshë është pothuajse e njëjtë në 5 për qind dhe për 19 shtetet e zonës euro është njësoj me Shqipërinë.

Të dhënat janë sipas Anketës së Buxhetit të Familjeve 2015 të INSTAT dhe anketës së familjeve të BE-së, të publikuara nga Eurostat, të matura të dyja sipas nomenklaturës COICOP. (Classification of Individual Consumption According to Purpose – Klasifikimit të Konsumit Individual sipas Qëllimit).

Shqiptarëve u del që të shpenzojnë 4.9 për qind të totalit për t’u veshur, një produkt relativisht luksi, ndonëse ata, për shkak të nivelit të ulët të të ardhurave, kanë peshën më të lartë të shpenzimeve për ushqime, një produkt i domosdoshëm, me gati 49 për qind, nga 12.3 për qind që harxhojnë evropianët për t’u ushqyer.

Por, cilat janë vendet që harxhojnë më shumë për veshje, në raport me totalin e shpenzimeve? Nuk është asnjë surprizë që në vend të parë është Italia, me 6.3 për qind të totalit. Në vendin që njihet për modën e lartë, italianët nuk kursehen. Të dytët janë portugezët, me 6.1 për qind të totalit, të ndjekura nga Austria. Vendet baltike, si Lituania, Letonia i kushtojnë gjithashtu rëndësi veshjes.

Peshë më të ulët se Shqipëria kanë 14 shtete, ku më pak rëndësi dukjes i kushtojnë çekët, grekët, hungarezët, rumunët (shih grafikun).

Të dhënat tregojnë që ndërsa familjet shqiptare shpenzojnë gati gjysmën e shpenzimeve (48.7 për qind) për ushqime dhe pije joalkoolike, konsumatorët në vendet e BE-së mjaftohen vetëm me 12.3 për qind të buxhetit për të plotësuar nevojat e tyre të përditshme të të ushqyerit të një jetese normale.

Me gjysmën tjetër të buxhetit, që u mbetet pasi konsumojnë për nevoja ushqimore, familjet shqiptare kanë pak alternativa zgjedhjeje dhe ndonëse për veshjet nuk kursehen, për të tjerat e mbledhin rripin. Ndryshe nga evropianët, që për argëtim dhe kulturë shpenzojnë gati 9 për qind të buxhetit, për familjet shqiptare kjo peshë është vetëm 3 për qind. Edhe për restorante, evropianët harxhojnë 8.2 për qind të parave, nga 3.6 për qind për shqiptarët (gjithsesi në Shqipëri, në vlerë absolute, të drekosh në një restorant është shumë më lirë se në vendet e tjera të Evropës).

Hapja e universiteteve private dhe rritja e tarifave të universiteteve shtetërore ka shtuar shpenzimet e shqiptarëve në 2.1 për qind të buxhetit, ndërsa për evropianët është 1.1 për qind. Jo se këta të fundit nuk preferojnë të arsimohen, por kanë më shumë alternativa me arsimin publik.

Për shëndetin, shpenzimet janë të ngjashme, 3.6 për qind në Shqipëri dhe 3.7 për qind në vendet e BE-së.