Shtëpia e Bardhë po punon për një takim të ri Trump-Kim

Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Sarah Sanders, deklaroi se po punojnë mbi planin e organizimit të një samiti të dytë në mes presidentit të SHBA-ve, Donald Trump dhe liderit të Koresë së Veriut, Kim Jong-un, transmeton Anadolu Agency (AA).

Sanders njoftoi se Trump ka marrë letrën e pritur nga Kim dhe u shpreh se letra është “shumë e ngrohtë dhe pozitive”.

Zëdhënësja Sanders vuri në dukje se Shtëpia e Bardhë nuk do t’i ndajë detajet e kësaj letre, në qoftë se Kim nuk është i pajtimit që letra të njoftohet me opinionin publik.

“Qëllimi primar i letrës është të kërkojë një takim tjetër me presidentin, për të cilin aktualisht jemi në proces të koordinimit”, tha ajo.

Sanders, duke folur edhe për festimet e fundjavës së kaluar për Ditën e Themelimit të Republikës së organizuar në Korenë e Veriut, tha se këto festime të cilat janë fokusuar më shumë te civilët dhe zhvillimin ekonomik, “janë tregues i vullnetit të mirë”. Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë u shpreh se Trump ka arritur një “sukses të jashtëzakonshëm” në politikat ndaj Koresë së Veriut, duke shtuar se letra në fjalë është një “dëshmi tjetër” që sipas saj tregon zhvillimin e marrëdhënieve mes këtyre shteteve.

Viteve të kaluara në Korenë e Veriut gjatë festimeve të Ditës së Themelimit të Republikës bëhej shfaqja e armëve të rënda dhe të fuqisë ushtarake. Kurse në ceremoninë e këtij viti, përveç disa tankeve morën pjesë vetëm disa ushtarë që marshuan. Ndërkaq vëmendjen kishte tërhequr mospërfshirja e baterive të raketave me rreze të gjata.

Trump dhe Kim më 12 qershor ishin takuar në Singapor. Pas këtij samiti liderët kishin arritur në marrëveshje për pastrimin e Koresë së Veriut nga armët bërthamore.

Mirëpo në javët në vijim atmosfera diplomatike në mes të këtyre dy shteteve kishte filluar të prishej, ku SHBA-të kishin akuzuar Korenë e Veriut me mos heqje dorë nga programi bërthamor.