Shtëpia e Bardhë thirrje institucioneve: Jepuni fund abonimeve për NYT dhe Washington Post

Përderisa Shtëpia e Bardhë ka përfunduar abonimet e saj për gazetat New York Times (NYT) dhe Washington Post u ka bërë thirrje institucioneve tjera federale që edhe ata të ndërmarrin të njëjtin hap, transmeton Anadolu Agency (AA).

“Mosrinovimi i abonimeve të Washington Post dhe NYT nga të gjithë institucionet federale do të jetë një kursim i madh prej qindra mijëra dollarësh për qytetarët që paguajnë taksa”, tha zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Stephanie Grisham, në një deklaratë për media.

Më tej thuhet se Shtëpia e Bardhë ka përfunduar abonimin e saj për të dy gazetat në fjalë dhe se tashmë këto gazeta nuk do të vijnë më në institucion.

Presidenti i SHBA-ve, Donald Trump, i ftuar në një program në televizionin Fox mbrëmjen e së hënës për NYT dhe Washington Post tha se, “Nuk i duam ata brenda Shtëpisë së Bardhë. Ndoshta do t’i përfundojmë abonimet e tyre. Ata bëjnë lajme të rreme”.

Shpeshherë Trump akuzon institucionet kryesore të medias të tilla si CNN, NYT e Washington Post se bëjnë “lajme të rreme” dhe se e sulmojnë atë.