Shumëllojshmëria e punëve të mira

Thyeje demoralizimin me dëshirën dhe vullnetin për sukses.

Para se të përcaktosh drejtimin tënd, njih veten!

Shpesh herë e kam thënë unë, e ke thënë dhe ti… Kushedi sa herë e kemi dëgjuar brenda dhe jashtë nesh: Dua të jem më i mirë… Dua të mos jem ky që jam…

Zgjidhja është e lehtë: Me të kuptuar të thellë, të mbështetur nga vullnet i fortë dhe besim i palëkundur tek Zoti, mund të arrish tek ndryshimi që synon, i çfarëdo lloji qoftë.

Por, meqë edhe unë jam si ti, edhe unë ka shumë kohë që orvatem të gjej dhe të ndjek rrugën e ndryshimit, falë asaj pak përvoje po e shtjelloj pak më shumë idenë.

Së pari, nëse nuk ke marrë një vendim të brendshëm dhe ta deklarosh me vullnet të çeliktë, se “Sot do të hedh hapin e parë”, të përgëzoj se ky artikull do të hidhet bashkë me shumë të tjerë në pirgun e artikujve dhe ligjëratave që ke lexuar e dëgjuar rreth ndryshimit.

Prandaj, ky është hapi i parë drejt ndryshimit: Ta duash atë…

A e ke parë nënën e dhembshur e cila të gjithë vëmendjen e saj e ka të fokusuar tek vogëlushi i saj, të cilin do ta mbrojë nga çdo e keqe? Mëso nga kjo nënë dhe adaptoje idenë…

Mbroje veten nga erërat e dekurajimit dhe demoralizimit… Rrethoje me dy krahët e tu, fokusoje të gjithë vëmendjen dhe mos lejo ta cenojë asgjë e dëmshme…

E di, ndoshta nuk i ke aspak të qartë hapat pasues, por rruga e vetme është që të vihesh në mbrojtje të tyre… ata do të pasojnë njëri-tjetrin në mënyrë të përshkallëzuar.

Kij parasysh se me vete ke dhe një armik i cili nuk të ndahet, shumë i sofistikuar; Pavetëdija jote. Ajo ka një histori të gjatë me ty dhe, pavarësisht se është shumë e sofistikuar, ajo mbetet një armë me dy tehe: Mund ta bësh për vete dhe ta radhitësh në anën tënde, ose ta lësh të shndërrohet në një nga armiqtë më të egër të tu! Por, si mund të ndodhë kjo? Më lër të ta shpjegoj:

Pavetëdija përsërit gjithçka që i thuhet, ajo i orienton emocionet karshi ngjarjeve, zhvillimeve dhe njerëzve.

Ajo është ashtu siç e sheh ti.

Le të sjell një shembull: Nëse i thua vetes “Po, unë mundem” pavetëdija jote fillon e përsërit pas teje “Po, unë mundem… Po, unë mundem…” duke u dërguar gjymtyrëve komanda dhe urdhra me përmbajtjen:”Mbështeteni, se ai mundet!”

E nëse i thua vetes: Jo për Zotin, është e pamundur!” pavetëdija jote fillon e përsërit pas teje: Është e pamundur, është e pamundur…”

A ke vënë re që shenja e demoralizimit dhe dekurajimit, të cilat kanë si vatër zemrën, i shfaqen personit edhe në fytyrë dhe në të gjithë trupin? Ato i shfaqen në mimikën e fytyrës, në varjen e supeve, në tonin e zërit, në të ecur…. edhe pse ai mund të thotë se “Jam shumë mirë!”

Gjymtyrët tona ndërveprojnë me mendimet dhe besimet që kemi, ato pasqyrojnë gjithçka që gjendet brenda zemrës tonë, është panorama e brendshme dhe jo e jashtmja ajo që shfaqim, o miku im.

Ndoshta, një ndikim dhe rol të madh në kultivimin dhe zhvillimin e këtyre emocioneve kanë pasur personat përreth nesh, por falë besimit tek Zoti dhe besimit tek vetja jote me tiparet e saj më të mira, mund ta rreshtosh pavetëdijen tënde përkrah teje që të të ndihmojë ta aktivizosh të mirën tënde, ta zhvillosh dhe ti kapërcesh pengesat e brendshme para atyre të jashtme.

Prandaj, bëj çmos që energjitë e brendshme ti kesh në krahun tënd në rrugëtimin e kësaj jete! Ato duhet të marrin vendimin bashkë me ty “Në dashtë Zoti po ia filloj!”

Le të shohim çfarë na thotë profeti Muhamed a.s, lidhur me këtë çështje:”Jini optimistë për të mirën, ta gjeni!”

Kur Profeti a.s u tregua optimist para një të moshuari të sëmurë dhe i tha:”Pastrim qoftë!”, i moshuari iu përgjigj:”Në fakt është temperaturë që po e tret një plak të moçëm!” Profeti a.s i tha:”Atëherë ajo është e tillë, një temperaturë që po e tret një plak të moçëm!”

E tillë është, ashtu siç e sheh dhe e interpreton ti. Falë interpretimit tënd pozitiv, Zoti sikur të sjell çdo të mirë, edhe pse mund të mos e dish që është e tillë.

Nëse në këtë temë vendosëm të flasim për përdorimin e mendjes në funksion të suksesit dhe ndryshimit, duhet me patjetër që të cekim dhe një metodë të rëndësishme pa të cilën nuk bëjmë dot. Ajo ka nevojë të ushtrohet në mënyrë të vazhdueshme derisa të gdhendet dhe përbrendësohet nga ne, ditë pas dite. Ajo është një lojë mendore dhe quhet “Ndryshimi i këndvështrimit – paradigm shift”.

Ta ndryshosh mendjen tënde drejt të mirës.

Thënë shkurt, ajo është ta shohësh gotën përgjysmë të mbushur, është të konstatosh të mirën edhe aty ku duket se është e keqe, është të konstatosh suksesin edhe aty ku ka tregues dështimi.

Përfaqësuesi i një kompanie prodhimi këpucësh, u nis drejt një ishulli të largët që të jetojë për disa kohë mes njerëzve primitivë të cilët kurrë nuk kishin veshur këpucë në këmbët e tyre. Njëri pas tjetrit, ai dërgonte telegrame në administratën e kompanisë se hapja e një dege në atë ishull ishte një aventurë e destinuar të dështojë, pasi as dhe një person në atë vend nuk vishte këpucë.

Kompania e tërhoqi përfaqësuesin e saj dhe dërgoi një tjetër, i cili me tu njohur me vendin, dërgoi disa telegrame, në të cilët shkruante:”Shanset për sukses janë të mëdha, pasi asnjë person nuk vesh këpucë këtu. Mendoj se është një shans i vyer që tu prezantojmë mallin tonë.”

Në mendje më vjen profeti Muhamed a.s, i cili teksa godiste me sa fuqi kishte shkëmbin, para betejës së Hendekut, ndalon dhe thërret:”Zoti është më i madhi! Më është garantuar marrja e vendeve të Bizantit!” Kjo, edhe pse myslimanët ishin të mbërthyer nga uria, paniku dhe frika, saqë edhe nevojat e tyre personale i kryenin me frikë.

Ai i mbushte zemrat e tyre me shpresë dhe ua ndryshonte këndvështrimin e zi që kishte pllakosur në ato çaste, ai u thoshte se pas kësaj ngjarjeje myslimanët i pret një e mirë e madhe, e paimagjinueshme.

Prej teje pritet që ta shohësh dhe të heqësh perden e demoralizimit nga sytë. Imagjinoje veten atje, me myslimanët dhe Profetin a.s, me kazmën në dorë duke goditur shkëmbin. Me këtë këndvështrim të ndryshuar, vallë si do ta qëllosh shkëmbin? Sa e madhe do të jetë fuqia jote e brendshme? Cili është niveli i emocioneve? Kjo, edhe pse asgjë nuk ka ndryshuar në realitet.

Nëpërmjet këtij artikulli unë të dërgoj një mesazh, i cili të thotë se një vendim i brendshëm duhet të shtrihet në nivel profesional, social dhe sjellor që të garantojë ndryshimin e vazhdueshëm për më mirë.

Merre vendimin tani!