Si agjëron zemra

Prim.dr.med.sc. Ali F. Iljazi (r.a)

Allahu i madhërishëm në Kuranin fisnik urdhëron e thotë: “Çfarëdo e keqe që ndodh (godet), nuk mund të jetë ndryshe, vetëm sipas caktimit të All-llahut, e kush i beson All-llahut, Ai ia udhëzon zemrën e tij;
All-llahu është i gjithëdijshëm për çdo send.” (Et – Tegabun, 11)

Udhëzimi i zemrës është themel i çdo udhëzimi, lëvizës i çdo suksesi dhe bazë e çdo vepre. Në transmetimin e saktë shënohet që Pejgamberi s.a.v.s. ka thënë: “Vërtetë në secilin trup është një organ, nëse është në rregull, i tërë trupi është në rregull, nëse është i prishur, i tërë trupi është i prishur, e ky organ është zemra.” (Buhariu dhe Muslimi)
Rregullsia dhe vlefshmëria e zemrës tënde është shkas i lumturisë tënde si në dynja ashtu edhe në ahiret. Në anën tjetër, prishja e zemrës është shkas i shkatërrimit përfundimin e së cilës e di vetëm Allahu, ndërsa Ai thotë:
“Në të gjitha këto, për atë që ka mendje të shëndoshë dhe që i ka vënë veshin me vëmendje, ka argumente.” (Kaf, 37)
Secila krijesë ka zemër, por kjo zemër mund të jetë ose e gjallë ose e vdekur. Zemra e gjallë është e ndriçuar me dritën e udhëzimit dhe imanit, e mbushur me bindje, e nënshtruar ndaj urdhrave. Ndërsa zemra tjetër është e vdekur, e sëmurë dhe e rrënuar.
Allahu i madhërishëm për zemrat e indiferentëve thotë:
“Në zemrat e tyre kanë sëmurje, e All-llahu u shton sëmundje edhe më shumë, e për shkak se ata përgënjeshtruan, pësojnë dënim të dhembshëm.” (El – Bekare, 10)
Ata thonë:
“Zemrat tona janë në këllëf”! Jo, por për shkak të mosbesimit të tyre, All-llahu i ka mallkuar, andaj pak janë që besojnë (ose: pak send besojnë).” (El – Bekare, 88)
“A nuk e studiojnë me vëmendje Kur’anin? Por jo, ata janë zemra që kanë drynat e vet!” (Muhammed, 24)
“Ata thanë: “Zemrat tona janë të mbyllura nga ajo që ti na thërret dhe në veshët tanë kemi shurdhim të rëndë, kështu që ndërmjet nesh dhe ndërmjet teje ekziston një perde, prandaj ti vepro sipas tëndës e ne vazhdojmë tonën!” (Fussilet, 5)
Siç shohim, zemrat sëmuren, ndryshken e më pastaj vulosen me dry e më pastaj vdesin.
Zemra e besimtarit agjëron si në muajin e Ramazanit ashtu edhe jashtë tij. Agjërimi i zemrës është në atë mënyrë që largohet nga të gjitha përzierjet e shirkut i cili shkatërron zemrën, besimeve të kota, ngallzitjeve të shejtanit dhe qëllimeve të këqija dhe çdo gjëje që e largon nga Allahu. Zemrat tona duhet të jenë të mbushura me dashuri ndaj Allahut dhe vetëm kjo zemër është në gjendje ta njoh Zotin e vet me të gjitha emrat dhe atributet me të cilat Ai e ka përshkruar Veten.
Zemra e besimtarit është dritë dhe ajo lëkundet në te dhe nuk ka thërrmi errësire, sepse dërgesa e përhershme dhe ligjet e qiellit e bëjnë të gjallë. Kësaj mund t’i shtojmë edhe dritën natyrale në të cilën është krijuar secili rob, kështu në përfundim kemi dy drita madhështore:
“Dritë mbi dritë. All-llahu udhëzon kah drita e Vet atë që do Ai. All-llahu sjell shembuj për njerëzit. All-llahu çdo gjë di shumë mirë.” (En – Nurë, 35)
Zemra e besimtarit është kandil i cili shkëlqen sikur dielli dhe në te nuk banon kryelartësia, ngase ajo është e ndaluar, ngase zemra në të cilën vendoset kryelartësia, doemos sëmuret dhe shkatërrohet.
Ilaçi për vetëpëlqim dhe paramendim është shikimi në mangësitë e vetvetes dhe mijëra mëkate e gabime të cilat i ka bërë njeriu e pastaj i ka harruar, por Zoti i botëve i ka regjistruar në Librin i cili është te Ai, ndërsa Zoti nuk harron dhe asgjë nuk i fshihet.
Zemra e besimtarit agjëron nga zilia, sepse zilia i shkatërron veprat e mira dhe shuan dritën e cila reflekton nga zemra dhe ia vështirëson rrugën kah Allahu.
Allahu i madhërishëm thotë:
“A u kanë zili atyre njerëzve për atë që All-llahu u dha nga mirësitë e Tij? Ne u patëm dhënë pasardhësve të Ibrahimit librin e sheriatin dhe u patëm dhënë atyre pushtet të madh.” (En – Nisaë, 54)
Pejgamberi s.a.v.s. ka thënë: “Mos keni zili ndaj njëri-tjetrit dhe mos urreheni . . .” (Muslimi)
Pejgamberi s.a.v.s. tri herë vërtetoi që një sahab është banor i Xhennetit, dhe kur e pyetën këtë sahab çfarë ka bërë që e ka merituar Xhennetin, ai është përgjigj: “Asnjëherë nuk kam fjetur e që në zemrën time të ketë qoftë edhe një thërrmi e zilisë dhe urrejtjes ndaj ndonjë myslimani.”
Andaj, a ka edhe zemra që agjërojnë me agjërimin e atyre që e kanë njohur të vërtetën?
Ndërsa agjërimi i tyre frymon me mallëngjimin ndaj Zotit të mëshirshëm . . . zemrat e tyre pandërprerë agjërojnë, ndërsa gjuhët e tyre lavdërojnë Zotin në mëngjes dhe mbrëmje . . .
O Allah, udhëzo zemrat tona në rrugë të drejtë dhe bëji të qëndrueshme në besim.

Dr. Aid el-Karni
Përktheu dhe përshtati:
Prim.dr.med.sc. Ali F. Iljazi (r.a)