Lëvizjet ekstremiste po përdorin faqet e lojërave dhe platforma të tjera online për të tërhequr një numër gjithnjë në rritje fëmijësh drejt kauzave të tyre, sipas të dhënave të reja dhe dhjetëra intervistave që ka siguruar NYT
Duke marrë shembull nga mënyrat që përdorin abuzuesit e fëmijëve për të fituar besimin e tyre, grupet e urrejtjes dhe organizatat terroriste po shfrytëzojnë lojëra si Minecraft, Roblox dhe platforma të tjera të njohura online për të rekrutuar një brez të ri ekstremistësh, thonë studiuesit.
Në mbarë Evropën dhe Amerikën e Veriut, fëmijët përbëjnë tashmë 42 për qind të hetimeve që lidhen me terrorizmin – një rritje trefish që nga viti 2021, sipas Komitetit Ekzekutiv Kundër Terrorizmit të Kombeve të Bashkuara, një agjenci që studion trendet e reja të terrorizmit. Në Evropë, 20 deri në 30 për qind e punës kundër terrorizmit lidhet me të mitur, disa prej tyre vetëm 12 ose 13 vjeç, sipas të dhënave të Qendrës Ndërkombëtare për Kundër Terrorizmin në Hagë.
“Është një trend që ka arritur në nivele ekstreme”, tha drejtori i kësaj qendre, Thomas Renard. Ai i quajti shifrat “tronditëse” dhe tha se janë diçka “që nuk e kanë parë kurrë më parë”.
Grupet me ideologji të dhunshme nga spektri i ndryshëm politik po përshtaten me epokën digjitale dhe po gjejnë anëtarë të rinj më shpejt sesa qeveritë po arrijnë të krijojnë strategji për t’i ndalur, thonë hetuesit e OKB-së.
Sipas më shumë se dy dhjetë ekspertëve të radikalizimit, këshilltarëve të të rinjve dhe personave të prekur nga ekstremizmi, mosha e atyre që përfshihen në këto grupe në Perëndim po ulet gjithnjë e më shumë.
Rreziku në Minecraft e Roblox
Agjencitë e inteligjencës në Shtetet e Bashkuara dhe Australi, për shembull, kanë paralajmëruar se ekstremistët po përdorin lojëra si Roblox dhe rrjete sociale si Discord për të rekrutuar dhe trajnuar të rinj. Studiuesit kanë zbuluar se brenda botëve virtuale të krijuara në Minecraft dhe Roblox, disa përdorues simulojnë akte terroriste dhe sulme masive, si ai i vitit 2019 në dy xhami në Christchurch të Zelandës së Re, ku u vranë 51 persona.
“Ekstremistët mund t’i krijojnë vetë këto lojëra dhe, nëse i bëjnë tërheqëse për fëmijët, mund të tërheqin një lloj të caktuar të miturish”, tha Jean Slater, studiuese e lëvizjeve ekstremiste me fokus në Roblox. “Shumë njerëz mendojnë se rregullatorët e kanë zgjidhur këtë problem, sepse duket e paimagjinueshme që një platformë do të lejonte një të rritur të komunikojë me një fëmijë 9-vjeçar”.
Roblox, në një deklaratë për The New York Times, tha se përmbajtja që nxit urrejtje “nuk ka vend” në platformë dhe se përdor masa të ndryshme, si zbulimin me inteligjencë artificiale dhe ekipe monitorimi, për të identifikuar përdoruesit që promovojnë ekstremizëm. “Asnjë sistem nuk është i përsosur, prandaj punojmë çdo ditë për ta përmirësuar dhe inkurajojmë prindërit të flasin me fëmijët e tyre për rreziqet online”, thuhet në deklaratë.
Edhe Minecraft, që u jep përdoruesve liri për të krijuar serverë privatë dhe harta të personalizuara, është përdorur për të ndërtuar mjedise me propagandë, për të përkujtuar ngjarje të dhunshme dhe për të përhapur gjuhë urrejtjeje, sipas një raporti të Rrjetit Global për Ekstremizmin dhe Teknologjinë, i lidhur me King’s College London.
Microsoft, kompania që zotëron Minecraft, tha se “ndalon përmbajtjen ekstremiste” dhe përdor teknologji parandaluese për të garantuar sigurinë. Kompania theksoi se përdor filtra për bisedat, sisteme raportimi brenda lojës dhe kontrolle prindërore në serverët zyrtarë, si dhe merr masa ndëshkuese kur është e nevojshme edhe në serverët privatë.
Rastet gjyqësore për terrorizëm që përfshijnë të mitur shpesh mbahen larg vëmendjes së publikut për shkak të moshës së të pandehurve, çka e bën më të vështirë të kuptohet se si ata janë radikalizuar. Megjithatë, vitet e fundit disa raste të njohura kanë bërë që ekspertët të theksojnë rolin e platformave online në këtë proces.
Në Britani, në vitin 2022, një vajzë 15-vjeçare, e manipuluar online nga një neo-nazist në Teksas, u bë një nga personat më të rinj të arrestuar për akuza terrorizmi. Ajo kishte shkarkuar udhëzime për ndërtimin e bombave dhe kishte postuar mesazhe për hedhjen në erë të një sinagoge. Më vonë, ajo i dha fund jetës së saj.
Në Estoni, në vitin 2020, një djalë 13-vjeçar u zbulua se ishte drejtues i një grupi neo-nazist ndërkombëtar që planifikonte sulme në qytete perëndimore përmes një kanali në Telegram.
Autoritetet thonë se është e pamundur të parashikohet nëse idetë që po u mbillen sot të rinjve do të çojnë një ditë në akte dhune, por ata janë të habitur nga rritja e menjëhershme e rekrutimeve. Sipas Qendrës Ndërkombëtare për Kundër Terrorizmin, pjesa më e madhe e rritjes ka ndodhur gjatë një viti e gjysmë të fundit, edhe pse përmbajtjet ekstreme online ekzistojnë prej kohësh.
Në shumë raste, të miturit kalojnë nga një ideologji ekstreme në tjetrën – nga supremacia e bardhë te xhihadizmi – gjë që, sipas disa ekspertëve, tregon se problemi lidhet më shumë me ndjenjën e vetmisë sesa me bindjet ideologjike.
“Nuk mund ta përcaktojmë gjithmonë saktësisht pse duket se ka një pikë kthese”, tha Thomas Renard. “Një pjesë është efekt zinxhir. Ndoshta tani po përballemi me disa faktorë që përputhen: brezi i parë plotësisht digjital, të rinj që janë rritur me telefon në dorë dhe me prindër më tolerantë”.
Grupet radikale, nga të gjitha krahët ideologjikë, janë përshtatur me këto ndryshime.
“Lufta racore”
Lojërat video nuk janë i vetmi mjet. Fëmijët po radikalizohen edhe përmes asaj që hetuesit e OKB-së e quajnë “strategji të sofistikuara orientimi”. Këto strategji i drejtojnë të rinjtë nga platforma të zakonshme si TikTok dhe X drejt komuniteteve më ekstreme në kanale si Discord ose Telegram, ku ka më pak kontroll.
F.B.I.-ja dhe autoritetet kanadeze kanë ngritur gjithashtu shqetësime për të ashtuquajturat “rrjete com” – grupe ndërkombëtare ekstremistësh me ide nihiliste, të organizuara lirshëm, që synojnë fëmijët online. Sipas F.B.I.-së, ndonjëherë ata i detyrojnë fëmijët të filmojnë veten duke dëmtuar trupin, ose duke kryer veprime seksuale apo veprime të dhunshme, dhe më pas i shantazhojnë me ato video.
“Për një kohë të gjatë, pika kryesore e kontaktit ishte media sociale”, tha Arno Michaelis, ish neo-nazist që tani punon me organizatën “Parents for Peace” në SHBA, e cila ndihmon familjet e prekura nga ekstremizmi. “Por më shqetëson fakti që rekrutimi është zhvendosur edhe në platforma që prindërit i konsiderojnë të padëmshme”.
Sidomos e djathta ekstreme ka bërë përpjekje të bëhet më tërheqëse për djemtë dhe të rinjtë, dhe njëkohësisht më pak e dukshme për autoritetet.
Një nga mënyrat janë të ashtuquajturat “klube aktive” – grupe luftimi vetëm me anëtarë të bardhë, që stërvitin të rinj për një “luftë racore” që ata besojnë se do të vijë. Ky model është përhapur në 27 vende, dhe një e katërta e grupeve të reja janë “klube rinore” për djem 15 deri në 17 vjeç, sipas Global Project Against Hate and Extremism.
“Mu deshën disa muaj ta kuptoja se ku isha futur”, tha një i ri suedez që më vonë u largua nga klubi. “Fillimisht beson se njerëzit nga bota e tretë nuk i përkasin këtij vendi. Pastaj fillon të besosh në teoritë racore”. Ai foli në kushte anonimiteti nga frika e hakmarrjes. Rrëfimi i tij u verifikua nga këshilltari i tij.
“Në pikën më të ulët”, tha ai, “po të më kishe pyetur nëse Hitleri kishte bërë ndonjë gjë të gabuar, do të kisha thënë ‘jo’”.
Sipas Allizandra Herberhold, që punon me familje dhe individë, veçanërisht vajza të reja – në organizatën “Parents for Peace”, rekrutët e mundshëm shpesh shfaqin shenja dobësie emocionale ose ndihen të humbur në shoqëri.
“Nëse fakti që je i bardhë vlerësohet mbi çdo arritje tjetër, atëherë do të kapesh fort pas kësaj”, tha ajo. “Është e vetmja gjë që të jep një ndjenjë qëllimi dhe të bën të mos ndihesh si një i dështuar”.
Radikalizimi i fëmijëve ka shkatërruar disa familje dhe është shumë i vështirë për t’u shmangur.
Në një qytet të vogël bregdetar në British Columbia, një vajzë 15-vjeçare nisi të bisedonte online me një burrë që në Discord e përshkruante veten si “manipulues nacional-socialist”, sipas prindërve të saj, Ann dhe Shawn, të cilët kërkuan të identifikohen vetëm me emrat e mesëm për ta mbrojtur privatësinë e vajzës. Gjatë dy viteve në vijim, ata thonë se ajo u fiksua pas nazizmit dhe filloi të dëmtonte veten më rëndë, e nxitur nga një komunitet ekstremist online që e këshillonte të mos dëgjonte familjen.
“Ata i thoshin: Mos merr ilaçet, mos dëgjo prindërit. Largohu prej tyre”, tha Shawn. “Ata arritën ta lidhin emocionalisht me një ideologji. Edhe sot ajo mendon se kjo e shpëtoi”.
Tani vajza jeton në një shtëpi kujdesi dhe refuzon të kthehet në shtëpi. Prindërit e saj, që e përshkruajnë veten si të majtë politikisht, janë të tronditur.
“Na e ka shkatërruar plotësisht jetën. Zemrat na janë thyer”, tha Ann. “Nëse mund të ndodhë në familjen tonë, mund të ndodhë kudo”. Përktheu: Blerta Haxhiu/koha





