Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Si Jeff Bezos ndihmoi Netanyahun të përndjekë palestinezët

Si Jeff Bezos ndihmoi Netanyahun të përndjekë palestinezët

Jeff Bezos

Amazon vuri në dispozicion teknologjinë e saj për të analizuar miliona fotografi

Ushtria izraelite ka ngarkuar rreth 3.5 milionë fotografi të palestinezëve në platformën kompjuterike të Amazon, për të përdorur teknologjinë e kompanisë amerikane të njohjes së fytyrës dhe për të identifikuar njerëzit që jetojnë në Gaza dhe Bregun Perëndimor.

Lajmi zbulohet nga një investigim i publikuar nga gazeta britanike The Guardian, bazuar në dokumente të rrjedhura dhe dëshmi të burimeve ushtarake.

Fotografitë janë transferuar në sistemet kompjuterike të Amazon që në muajt e parë të ofensivës izraelite në Gaza, pas sulmit të Hamasit më 7 tetor 2023.

Në fillim të vitit 2024, një departament i ushtrisë izraelite, i njohur si Rolling Stone, njoftoi Amazon për planin e përdorimit të platformës Rekognition, e cila analizon imazhet përmes inteligjencës artificiale.

Sipas dokumenteve të siguruara nga The Guardian, bashkëpunimi nuk kufizohej vetëm te njohja e fytyrave. Ushtria izraelite kishte transferuar në serverët e Amazon sasi të mëdha të dhënash, përfshirë informacione të klasifikuara të inteligjencës dhe të dhëna personale të palestinezëve që jetojnë nën pushtim.

Departamenti Rolling Stone, administron një prej arkivave më të mëdha të informacionit mbi popullsinë palestineze. Sistemi përmban të dhëna personale dhe familjare, prona, leje pune, kalime në pikat e kontrollit dhe të dhëna penale.

Pas nisjes së ofensivës tokësore në Gaza, ushtria izraelite nisi të fotografonte sistematikisht palestinezët që kalonin nëpër postblloqe, ku shumë prej tyre mbërrinin pasi ishin detyruar të largoheshin nga shtëpitë për shkak të bombardimeve.

Burime ushtarake, i thanë gazetës se infrastruktura kompjuterike e Amazon u bë e nevojshme për shkak të numrit të jashtëzakonshëm të fotografive të mbledhura.

Nuk është konfirmuar nëse 3.5 milionë fotografitë vinin nga këto postblloqe. Megjithatë, teknologjia e njohjes së fytyrës përdorej për të krahasuar imazhet e personave të ndaluar me fotografitë e ruajtura në bazat ushtarake.

Në Bregun Perëndimor, Izraeli përdor prej vitesh aplikacionin Blue Wolf, i cili u mundëson ushtarëve të skanojnë fytyrat e palestinezëve dhe të marrin informacione mbi identitetin e tyre, përfshirë nëse janë shënuar si persona që duhen arrestuar.

Marrëdhëniet mes Amazon dhe ushtrisë izraelite janë forcuar përmes kontratës shumë miliardëshe Project Nimbus, të nënshkruar në vitin 2021, në kuadër të së cilës Amazon Web Services dhe Google ofrojnë shërbime kompjuterike për institucionet qeveritare dhe ushtarake të Izraelit.

Sipas dokumenteve, në vitin 2023 Amazon hapi qendra të reja të përpunimit të të dhënave në Izrael, duke krijuar mundësinë që ushtria të transferonte informacionin e saj në një hapësirë të posaçme dhe të izoluar brenda sistemeve të kompanisë.

Një burim ushtarak i përfshirë në këtë proces, i tha The Guardian se objektivi ishte transferimi i gjithçkaje: fotografive, videove dhe të dhënave sekrete të inteligjencës.

Në fillim të vitit 2024, një grup ushtarësh izraelitë punonte edhe në zyrat e Amazon në Tel Aviv, ku shqyrtonte mënyrat e përdorimit të infrastrukturës së kompanisë për programin e njohjes së fytyrave në Gaza.

Amazon deklaroi se nuk ka qasje në të dhënat që klientët ruajnë në sistemet e saj dhe se respekton privatësinë e tyre. Kompania mohoi gjithashtu se takimet e ushtarakëve në zyrat e saj përbënin diçka tjetër përveç marrëdhënieve normale me klientët.

Ndërkohë, ushtria izraelite nuk pranoi të komentonte bashkëpunimin, duke iu referuar nevojave operacionale.

Investigimi rikthen në vëmendje rolin e kompanive amerikane të teknologjisë në operacionet ushtarake izraelite, në një kohë kur përdorimi i inteligjencës artificiale për mbikëqyrjen dhe identifikimin e palestinezëve po shkakton shqetësime të mëdha për të drejtat e njeriut.

Sipas burimeve të cituara nga gazeta, në disa raste sistemet e njohjes së fytyrës kanë ngatërruar edhe civilë me luftëtarë. \tesheshi