Përballja e drejtpërdrejtë me Teheranin rrezikon të shndërrohet në “Suezin” e Uashingtonit
Në një analizë të mprehtë për Middle East Eye, studiuesja Soumaya Ghannoushi argumenton se lufta aktuale midis SHBA-së dhe Iranit nuk është frut i një interesi ekzistencial amerikan, por rezultat i një lobimi të gjatë izraelit për të ribërë rajonin.
Sipas saj, kryeministri Netanyahu ka arritur më në fund qëllimin e tij: një luftë ku pesha e plotë ushtarake e SHBA-së vihet në shërbim të vizionit të tij.
Ghannoushi e përshkruan këtë si “përballjen më të rrezikshme dhe të pamatur të këtij lloji”, duke vënë në dukje se skenari i përdorur për të justifikuar sulmet – pretendimi për kërcënim të menjëhershëm – është i njëjtë me atë të vitit 2003 në Irak.
Autorja shkruan për Middle East Eye se “preteksti qendror për luftë ishte një trillim”, atëherë, dhe po ashtu po manipulohet sot, ndërkohë që Irani kishte sinjalizuar gatishmëri për zbutjen e toneve përmes kanaleve diplomatike në Oman dhe Gjenevë.
Pika kyçe e analizës qëndron te thyerja e miteve historike. Ghannoushi argumenton se Izraeli është mësuar të luftojë kundër ushtrive arabe të fragmentuara (si në vitin 1948) ose aktorëve jo-shtetërorë. Mirëpo, Irani përfaqëson një sfidë krejtësisht tjetër.
“Irani nuk është Iraku i vitit 2003. As Afganistani i vitit 2001”- thekson ajo, duke vënë në dukje thellësinë gjeografike, industrinë vendase të armëve dhe arsenalin masiv të raketave që zotëron Teherani.
Sipas autores, gabimi fatal i Uashingtonit është nënvlerësimi i kundërshtarit. Ajo shpjegon se Irani ka ndërtuar një strategji asimetrike që synon jo vetëm ushtrinë, por sistemin e fuqisë globale. Duke kërcënuar infrastrukturën e Gjirit dhe korridoret energjetike, Teherani godet drejtpërdrejt “sistemin petro-dollar që ushqen si Uoll Stritin ashtu edhe Uashingtonin”.
Ghannoushi tërheq një paralele historike goditëse me krizën e Suezit të vitit 1956, kur Britania, e dehur nga vetëbesimi, tentoi të disiplinonte aktorët rajonalë vetëm për të zbuluar kufijtë e fuqisë së saj.
“Historia përsëritet rrallë në detaje, por ajo përsërit logjikën e saj”– paralajmëron autorja në Middle East Eye. Ajo e përfundon analizën duke theksuar se perandoritë shpesh lëkunden jo sepse janë të dobëta, por sepse e mbivlerësojnë forcën e tyre.
Në këtë këndvështrim, lufta me Iranin mund të shënojë fundin e iluzionit të kontrollit amerikan në rajon, duke u shndërruar në “Suezin e Uashingtonit” dhe duke përshpejtuar tërheqjen strategjike të superfuqisë nga pjesa më e madhe e globit. /tesheshi


