Ballina Artikuj Si ta ndiejmë ëmbëlsinë e Kuranit në Ramazan?

Si ta ndiejmë ëmbëlsinë e Kuranit në Ramazan?

Hoxhë Bedri Syla

Të nderuar vëllezër dhe motra!

Shumë prej nesh pyesin: pse nuk po e ndiejmë ëmbëlsinë e Kuranit dhe përulësinë në namaz? Një nga shkaqet kryesore është gjynahu dhe ashpërsia e zemrës. Sa më shumë të pastrohet zemra, aq më shumë ndikohet nga Fjala e Allahut.

Allahu i Madhëruar thotë:
“A nuk ka ardhur koha që zemrat e besimtarëve të përulen ndaj përmendjes së Allahut dhe ndaj së vërtetës që ka zbritur?”
(El-Hadid, 16)

Dhe pikërisht Ramazani është stina më e madhe për t’u kthyer te Kurani. Allahu thotë:
“Muaji i Ramazanit është ai në të cilin u zbrit Kurani, udhëzim për njerëzit…”
(El-Bekare, 185)

Rruga për t’u ndikuar nga Kurani është:
• largimi nga mëkatet,
• përmirësimi i zemrës,
• dhe zbukurimi me adhurime.

Imam Maliku -Allahu e mëshiroftë- ka thënë:
“Fundi i këtij umeti nuk do të përmirësohet përveçse me atë me të cilën u përmirësua fillimi i tij.”

Ai që vjen herët në namaz, e përmend Allahun dhe e përgatit zemrën, ndikohet më shumë se ai që vjen me nxitim. Po ashtu, ai që i kupton ajetet përmes tefsirit, e përjeton Kuranin më thellë.

Abdullah ibn Mesudi r.a. ka thënë:
“Kur dikush prej nesh i mësonte dhjetë ajete, nuk i kalonte ato derisa t’i kuptonte kuptimet e tyre dhe të vepronte me to.”

I Dërguari a.s. ka thënë:
“Lexoni Kuranin dhe qani; e nëse nuk qani, përpiquni të qani.”
(Ibn Maxhe)

Prandaj, në këtë Ramazan, le të mos jetë Kurani vetëm lexim me gjuhë, por lexim me zemër, me kuptim dhe me zbatim.

Allahu na bëftë prej atyre që e jetojnë Kuranin, sidomos në Ramazan. Amin.

Hoxhë Bedri Syla
Hytbëja e xhumasë
27.02.2026-Troisdorf